Kurbin, në fshatin mysliman kremtohet festa katolike e Shën Mhillit! Besimtarja: Është vend i shenjtë, më ka shëruar fëmijët!

30 Shtator, 16:40| Përditesimi: 30 Shtator, 16:51

  • Share

Besimtarët katolikë në mbarë vendin kremtuan të dielën e 29 shtatorit festën e Shën Mhillit. Festa fetare vjen ndryshe në fshatin Malbardhë të Kurbinit, ku në kishë bëjnë kryq e luten për mbarësi edhe besimtarët myslimanë.

Historia 700-vjeçare e kishës tregon se kjo zonë ka qenë e populluar nga të krishterët derisa vendi ra në sundimin otoman. Banorët janë detyruar të kthehen në mysliman por asnjëherë nuk i kanë humbur traditat. Në këtë fshat ku sot 95 për qind e popullsisë është myslimane banorët tregojnë për mrekullitë e kishës së Shën Mhillit.

“Është kishë e vjetër dhe kemi pasur ardhur fshehurazi dhe në kohën e komunizmit. Në këtë kishë kam shëruar fëmijët, është vend i shenjtë. Fëmijëve u mbahej goja por këtu janë shëruar”, tha një grua myslimane.

Myslimanë e të krishterë në Malbardhë kryejnë bashkë ritet fetare, duke dëshmuar edhe një herë harmoninë fetare. Ndërsa kisha aktuale e Shën Mhillit është rindërtur vitet e fundit në rrënojat e kishës së vjetër 700-vjeçare.

Me rastin e kësaj feste, një urim i veçantë për të gjithë besimtarët në vend vjen nga Arqipeshkvi i Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj.

“Sot lutem më shumë për ata vëllezër e motra që e duan Zotin por ende nuk e kanë zbuluar përmes fytyrës së Jezu Krishtit. Edhe më ndermjetësin e Shën Mikelit, uroj të largonjë çdo përvojë negative dhe të bashkohen me Zotin e të kontribuojnë për Kombin. Uroj të zgjohet dashuria për Atdheun sidomos tek rinjve që ta rindërtojnë vendin”, tha ai përmes një videomesazhi në rrjetet sociale.  

 

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?