Kurbin- Një 48 vjeçar nga fshati Gjormë, Kurbin është arrestuar në flagrancë pasi gërryente shtratin e lumit Mat dhe merrte inerte.
Përparim Kurti po ashtu u gjobit edhe me 2 milionë lekë.
Ndërkohë raportohet se punonjësit që merreshin me këtë punë ishin të paregjistruar.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mjete të rënda (1 kamionë, 2 ekskavatorë) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve të vazhdueshme, të mbështetura te puna e inteligjencës policore dhe që kryhen në të gjithë territorin, me fokus prandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Riverside”.
Gjatë operacionit, në Milot, është ushtruar kontroll në një subjekt për përpunimin e inerteve, në pronësi të shtetasit P. K. Nga verifikimet e kryera rezultoi se veprimtaria në këtë subjekt kryhej në kundërshtim me ligjin, sepse përveç se dëmtonte mjedisin, kryhej pa dokumentacionin përkatës, punonjësit ishin të paregjistruar dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 mjete të rënda (1 kamionë, 2 ekskavatorë) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i këtij subjekti, shtetasi P. K., 48 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.
Gjithashtu, iu vendos masa administrative 2 000 000 lekë, për veprimtarinë e kundërligjshme në këtë subjekt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme.