Kurbin- Policia e Kurbinit arreston administratorin e gurores ku u aksidentua për vdekje punëtori i firmës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit njoftuan sot (10 korrik) se në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur dje, në një gurore në Mamurras, arrestuan në flagrancë Sefulla Halilin, 60 vjeç, banues në Fushë-Kuqe.
Ai akuzohet për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen. Viktimë e aksidentit në punë mbeti Petrit Prenga, 38 vjeç, i cili ishte punëtor pranë mullirit të bluarjes së gurëve.
“Nga hetimet dyshohet se P. P., 38 vjeç, gjatë punës te mulliri i bluarjes së frontojës, është goditur aksidentalisht nga pjesa e lëvizshme e makinerisë dhe për shkak të dëmtimeve të rënda, ka humbur jetën”, njoftoi policia.
Pas veprimeve paraprake, hetimet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme proceduriale.
Komente
