Zjarri i rënë një ditë më parë në masivin pyjor të fshatit Skuraj të Kurbinit, vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët. Pasditen e së premtes pati ndërhyrje nga ajri me helikopterin e Forcave të Armatosura, por pa arritur t'i shuajë plotësisht flakët e zjarrit, të cilat për shkak të dendësisë së bimësisë u përhapën me shpejtësi në disa drejtime.
Kurse po sot, Policia e Laçit njoftoi se pas hetimeve zbardhi ngjarjen, ku mori nën hetim në gjendje të lirë një 60-vjeçare të dyshuar, banore e fshatit Skuraj. Sipas dinamikës, teksa po digjte mbeturinat në afërsi të banesës së saj, flakët u përhapën aksidentalisht dhe përfshinë fillimisht një sipërfaqe toke dhe më pas faqen e malit me pyje e bimësi.
Sipas të dhënave nga Mbrojtja Civile, që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtunë në terren ndodhen 50 forca të Bashkisë Kurbin dhe 30 efektiv të Forcave të Armatosura. Ata po krehin të gjithë masivin pyjor me qëllim shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara, thotë se vëmendja është përqëndruar në shuarjen e plotë të këtij zjarri dhe është ende herët për të folur për shkakun e tij.
Zjarri në masivin pyjor të fshatit Skuraj të Kurbinit u shfaq mesditën e së premtes, ndërsa terreni i thyer pengoi ndërhyrjen e forcave nga toka, duke detyruar strukturat e Mbrojtjës Civile që të kërkojnë ndihmën e helikopterit të Forcave të Armatosura. Ndërkohë në aksion krahas zjarrfikësve të Kurbinit, u angazhuan dhe ata të Lezhës, Mirditës dhe Kamzës.
Dëmet e zjarrit në Skuraj
Policia e Kurbinit zbardhi ngjarjen e djeshme, ku nga zjarrvënia aksidentale u shkaktuan dëme materiale. Gjithashtu u mor nën hetim edhe një 43-vjeçar nga fshati Tresh i Lezhës, pasi ndoti ambientin me zjarrin në tokën e tij
I vuri flakën malit me bimësi teksa digjte mbeturinat pranë banesës së saj, merret nën procedim në gjendje të lirë 60-vjeçarja e dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin bënë me dije sot (12 korrik) se referuan materialet në Prokurori për A. T., 60 vjeçe, banuese në Skuraj.
“Dyshohet se nga ndezja e mbeturinave pranë banesës së saj është përhapur zjarr, që ka përfshirë pjesërisht një sipërfaqe toke në një faqe mali në zonën e quajtur “Skuraj””, bëri me dije policia.
Nga flakët pati dëme materiale, teksa zjarrfikësit vijuan edhe sot luftën me flakët.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për A. K., 43 vjeç, banues në fshatin Tresh, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, duke shkaktuar ndotje të ajrit.
Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në vendin e quajtur “Ura e Daullasit” në Fier.
Zjarri u vendos nga banorët e zonës për të djegur hamulloret, por u doli jashtë kontrollit duke shkaktuar panik.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve (të favorizuar nga era) - të cilat ndodhen pranë shtyllave të energjisë elektrike.
Për të shmangur rrezikun është bërë edhe stakimi i energjisë.
Ministria e Mbrojtjes ka informuar sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 5 vatra janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec e Korçë.
Aktualisht mbeten aktive vatrat:
Qarku Dibër - Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Zjarri ka qenë me intensitet të ulët dhe nuk pati rrezik për tu përhapur në zona të pyllëzuara. Në terren gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 6 forca të Shërbimit Pyjor, 4 forca bashkiake dhe 4 forca vullnetare. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 19 ha. Sot në operacion janë angazhuar 4 forca të njësisë që të mbajnë nën kontroll situatën për të mos e lënë këtë vatër të përparojë deri në shuarjen e plotë.
Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e djeshme zajrri ka qenë aktiv me shtrirje të madhe gjatësore, por i zhvilluar vetëm nga ana e fshatit Gurë Lurë. Për shuarjen e tij u angazhuan angazhuar 1 automjet zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH Dibër dhe 16 forca të AdZM, 4 forca bashkiake, 10 forca vullnetare dhe 30 forca nga FA. Si pasojë është përshkuar njësipërfaqe rreth 30 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e vatrës së zjarrit të ndihmuar edhe nga 30 forca nga FA.
Qarku Tiranë - Ka vijuar puna për fikjen e zjarrit të rënë në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, në një sipërfaqe me dushqe. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Rrogozhinë me 1 automjet zjarrfikës me 17 efektivë, 1 helikopter i FA, 20 forca bashkiake, 10 forca vullnetare, të cilët punuan për tij deri në orët e vona por pa mundur ta shuajnë plotësisht. Gjatë ditës së djeshme zjarri ka marr përmasa akoma dhe më të mëdha duke u përhapur në fshatrat Hemenraj, Murroj, Çek, Memollaj dhe Berdajt. Gjithashtu në fshatin Hemenaj u rrezikuan banesat të cilat ndodhen pranë zjarrit. Si pasojë u përshkua një sipërfaqe rreth 20 ha. Natën e mbrëmshme situata u monitorua nga 10 efektivë zjarrfikëse. Ditën e sotme forcat operacionale po vazhdojnë në terren për fikjen përfundimtare. Vatra e zjarrit është nën kontroll.
Qarku Elbasan - Në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia Administrative Polis, bashkia Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Sot po vijon operacioni për shuarjen e zjarrit me: 1 automjet zjarrfikëse dhe 8 efektivë, inspektorë të pyjeve si edhe 10 forca vullnetare. Shkaku i rënies së zjarrit është i panjohur.
Në fshatin Udenisht, njësia administrative Udenisht, bashkia Pogradec, ka një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe dhe shkurre. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Pogradec dhe forca të AdZM, cilët po punojnë për shuarjen e tij.
Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe dhe 20 rrënjë ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 38 automjete zjarrfikëse dhe 459 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 90 efektivë dhe 3 helikopterë.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.
Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera. Nё disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), Kukës (Jugperëndim), dhe Korçë (Veri).
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.
Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.
Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina dhe shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.
Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Vetëm me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve mund të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrojmë natyrën dhe komunitetet tona.
Komente

Cfare lloj kafshe duhet te jesh qe ne kete situate me 40 Grade Celcius te ndezesh zjarr….!!!!!
Përgjigju