Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të ketë marrëveshje për detin me Greqinë pa miratimin e presidentit Meta, gjatë ceremonisë së memorialit të 'Luftës së Vlorës 1920'. Ai tha se një deklaratë e ngatërruar e ish presidentit grek solli gjithë këtë situatë, duke theksuar se kushdo që i beson këto është thjesht trupeshk dhe se nuk ka asnjë negociatë.
“Nuk mund të ketë një marrëveshje për detin me Greqinë pa miratimin e presidentit Meta. Është presidenti ai i cili e firmos marrëveshjen dhe më pas presidenti që ka mundësinë ta dërgojë dhe apelojë në Gjykatën Kushtetuese. Është një histori qesharake dhe e dukshme, është një gjë nga hiçi se s'ka si të bëhet një marrëveshje kur s'ka letra procedura. Kushdo që e ha grepin është thjesht trupeshk. Jam i bindur që presidenti grek ia fut kot. E përsëris edhe një herë për ata që duan, ata që bien në grepat e tyre, s'ka asnjë marrëveshje, negociatat janë ndërprerë që para ndryshimit të qeverisë në Greqi, pa një përfundim. Me qeverinë e re greke nuk kemi rifilluar negociatat dhe nuk kemi një marrëveshje për momentin. Një deklaratë ngatërresë e ish presidentit grek ka bërë që e gjithë situata të ngatërrohet por në këtë situatë nuk ka asgjë të vërtetë", tha Rama.
Kujtojmë se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë seancës parlamentare të mbajtur më 26 gusht në parlamentin grek tha se Greqia do të zgjerojë kufijtë e saj detar në 12 milje.
Kryeministri Rama ishte krah presidentit Ilir Meta dhe kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi ditën e sotme në qytetin e Vlorës për të vendosur kurorat në memorial ditën e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.
Kreu i PD-së Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm në ditën e rëndësishme të luftës së Vlorës. Në lidhje me mungesën e tij, kryeministri Rama tha se nuk merr mungesa dhe nuk mban përgjegjësi për mungesat e të tjerëve.
"Jemi me fat që kemi mundësinë të nderojmë një moment të jashtëzakonshëm të historisë shqiptare në Vlorë. Këtu ne si të Vlorës dhe të gjithë shqiptarëve të kujtojmë dhe shpresoj të marrim sjelljet e duhura nga një histori e jashtëzakonshme. Sa shumë duhet të marrë politika shqiptare nga kjo", tha Rama.
Ceremonia është zhvilluar në masa të rrepta anti-covid për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Pas pyetjes së gazetarit nëse kishin një shtrëngim dore me presidentin, Rama tha se nuk i kishin shtrënguar duart me Metën për shkak të COVID-it.