Kurt Kola

Spartak Ngjela: Kurt Kola, heroi i rezistencës antikomuniste në Shqipëri

29 Janar 2022, 18:05| Përditesimi: 29 Janar 2022, 18:11

  • Share

Sot në ora 04 të mëgjest, u nda nga jeta Kurt Kola, një hero i rezistencës antikomuniste në Shqipëri. Kurt Kola rridhte nga një familje patriotësh të mëdhenj dhe heroikë, në luftën e tyre patriotike në shekuj, por që spikati me heroizmin kombëtar edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore; dhe, sidomos, në vijimin e saj pas vendosjes së regjimit tiranik të Enver Hoxhës.

Bilal Kola, i ati i Kurt Kolës, bashkë me të dy djemtë e tij, u hodh në luftë drejt kundër regjimit komunist në Shqipëri. Me formacionin e tij ushtarak, Bilal Kola luftoi deri sa rezistenca antikomuniste u shua në Shqipëri.

Bilal Kola ishte trim dhe patriot i madh; dhe me të dy djemtë e tij kaloi në Jugosllavi, ku serbët, me kërkesë të Enver Hoxhës; e vranë; bashkë me të dy djemtë e tij: Gani dhe Hamit Kola, 19 dhe 17 vjeç secili. Kurse Kurt Kola nuk kishte ende moshë për luftë.

Por, edhe Kurt Kola e vijoi luftën kundër regjimit tiranik të Enver Hoxhës; kudo ku ka qenë: në burgun e gjatë komunist, mbi 25 vjet; para burgut gjithashtu, dhe, në të gjithë periudhën pas burgut, për të kërkuar drejtësinë shoqërore dhe demokracinë në Shqipëri.

Që nga viti 1991, e gjithmonë në tridhjet vjet, Kurt Kola ishte një zë i madh për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Ishte njeri me personalitet të lartë; i drejtë dhe humanist. Ai jetoi me nder; luftoi si luftëtar me guxim absolut, njëlloj si i ati i tij.

Kurt Kola nuk ka gabuar asnjëherë në politikë, asnjëherë në parimet humaniste dhe, asnjëherë në zgjedhjen e tij në angazhimin e drejtë kundrejt popullit të vet.

Do të na mungojë; por ka lënë mbrapa tij historinë e vet të veçantë të njeriut që kurrë nuk u mposht dot nga ligësia tiranike; që kurrë nuk e pranoi kompromis me të keqen që i kanosej familjarisht, me dekada në Shqipëri; dhe, që, gjithmonë me sjelljen e tij humaniste, luftoi dhe punoi për atdheun e vet dhe për të gjithë shqiptarizmin.

Fli i qetë miku im, se historia që ke lënë mbas vetes, do të të japë përjetësinë. Me nderim dhe respekt të veçantë.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?