Miroslav Lajçak dhe Kurti në Davos, foto e publikuar nga ky i fundit

Kurtin dhe Vuçiçin ‘i bashkon’ Forumi Ekonomik në Davos, por ‘i ndan’ Lajçak! I dërguari i posaçëm i BE zhvillon takime të veçanta me dy liderët

18 Janar 2023, 14:39| Përditesimi: 18 Janar 2023, 17:34

  • Share

I dërguari i Posaçëm i BE për dialog, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar sot dy takime të ndara me presidentin e Serbisë Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ‘bërë bashkë’ në kuadër të Forumit Ekonomik i cili po zhvillohet në Davos të Zvicrës.

Lajçak shkroi në rrjetin social Twitter se gjatë takimit me Kurtin diskutuan për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale.

Edhe në takimin e tij me Vuçiçin, u tha se u diskutua për situatën në rajon dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Lajçak pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Ai do të jetë i shoqëruar nga i dwrguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nga i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, njoftoi në një konferencë për media të mërkurën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sipas burimeve në Bruksel nga REL, gjatë takimeve në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tyre, ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?