Një raund i dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Peter Stano: Kurti dhe Vuçiç pranuan ftesën e Borrellit për takim më 18 gusht në Bruksel

4 Gusht 2022, 16:59| Përditesimi: 4 Gusht 2022, 17:12

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve.

Kështu konfirmoi për mediat zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj që pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, u shpreh Stano.

Ai shtoi se më vonë do të jepen detaje të tjera për agjendën e takimit të 18 gushtit.

Ky takim përkon me kohën kur mes Kosovës dhe Serbisë janë shtuar tensionet për shkak të reciprocitetit të targave.

Më 31 gusht, ku serbët lokalë vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, si edhe sulmuan policinë. Ata morën shkas nga marrëveshja për reciprocitetin e targave që supozohej të hynte në fuqi më 1 gusht.

Por, për shkak të tensioneve, Kurti vendosi që të shtyjë një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. 

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu ka për synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

Takimi i 18 gushtit do të jetë i treti midis Kurtit dhe Vuçiçit. Ata janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut, por dy takimet nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

Kosova insiston se një marrëveshje finale do të duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë mes vendeve, ndërkaq Serbi dëshiron zgjidhje kompromisi.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?