Nëse dikush ka shpresuar se me lirimin e tre policëve shqiptarë të rrëmbyer nga specialët serbë brenda territorit të Kosovës, situata e tensionit në Veri do të qetësohet, pavarësisht se efektivët kanë marrë kohën e nevojshme për t’u relaksuar nga trauma e rrëmbimit, është zhgënjyer shumë.
Ata efektivë policie u përdorën si nga Aleksandër Vuçiç ashtu dhe nga Albin Kurti, u përdorën rëndshëm madje, për qëllime të brendshme politike, për rritjen e kuotave të mbështetjes, pasi nacionalizmi në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor ende ka mbështetje dhe prodhon vota.
Askush të mos mendojë se nuk kanë qënë në sinkron Vuçiç dhe Kurti në lojën e tyre të ‘forcës’ për tre policët e rrëmbyer. Kanë qënë aq në sinkron, sa shihej dhe me sy të lirë, kur sapo bëhej gati njëri t’i lironte, direkt arrestohej një nga protestuesit në Veri të Kosovës. Thjeshtë dhe vetëm për të bërë gati për palën serbe alibinë e proporcionalitetit dhe të reagimit konfliktual.
Por duke qënë se Vuçiç është më i vjetër në politikë, është dhe serb në fund të fundit dhe e kanë në ADN-në e tyre viktimizimin, serbët janë i vetmi komb në botë besojmë, që kanë thuajse festë kombëtare jo një fitore në luftë ndaj armikut, por një humbje, e konkretisht humbjen e betejës së Fushë-Kosovës si koalicion ballkanik të udhëhequr nga krajli i tyre, përballë turqve mbi 500 vite më parë, bëri sikur ‘lëshoi pe’ e ‘vuri dorën në zemër’ dhe i liroi tre policët e rrëmbyer.
Presidenti serb u detyrua të vepronte kështu, por e shiti si ‘lëshim’ këtë akt, duke dhënë idenë se ai i dëgjon partnerët ndërkombëtarë dhe se është për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës. Dhe nuk është se s’mori mesazhe inkurajuese nga partnerët për këtë akt, pavarësisht se specialët e tij i rrëmbyen tre policët ‘krahëthatë’ të Kosovës brenda territorit po të Kosovës. Sikur kishin shkuar për piknik dhe jo për punë, sikur s’kishin armë me vete. Por ky është një muhabet tjetër.
Ndoshta dhe rrëmbimi kishte njëfarë ‘konsensusi’, për të mbajtur gjallë tensionin, vetëm për të mos nënshkruar atë të ‘bekuar’ marrëveshje të Ohrit që e kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk e duan as Vuçiç dhe as Kurti këtë marrëveshje, që ka brenda Asociacionin e komunave serbe në Veri. Presidentit serb i volit mbajtja e situatës pezull, me veriun e Kosovës si një “vrimë e zezë” brenda shtetit të Kosovës që prodhon konflikt sa herë t’i nevojitet, dhe që përfiton në të gjitha herët, në raport me ndërkombëtarët, përballë Kurtit. I cili është vënë kundër gjithë botës, vetëm e vetëm për të mos lëvizur nga “trupa elektorale” që i garanton qëndrimin në pushtet. Sakrifikon shtetin e Kosovës për pushtetin e tij. Por dhe për të thënë se është koherent.
Që u mërzitën shumë si Kurti ashtu dhe Vuçiç nga lirimi i 3 policëve të Kosovës, presidenti serb ishte i detyruar t’i lironte me pahir, kjo u vu re dhe në qëndrimin që u mbajt pas këtij akti. Si me komandë Vuçiç dhe Kurti vunë nën sulm kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili kishte deklaruar se pa lirimin e këtyre efektivëve të rrëmbyer, nuk mund të ketë asnjë zhvillim pozitiv në Veri të Kosovës, ndërsa bëri ‘akull’ dhe marrëdhëniet me Serbinë.
Ndërkohë që Edi Rama kishte bërë dhe ‘gabimin’ e madh, dërgoi në Paris e Berlin një draft statut për Asociacionin e komunave serbe. Pikërisht në ndihmë të planit frako-gjerman për zgjidhjen e situatës në Veri. Nuk e pranoi fare Kurti këtë nismë të Ramës, e sulmoi me tërë artilerinë e “rëndë” të mbështetësve të tij në Vetëvendosje, qeveri, media si dhe të ‘patriotëve’ të rrjeteve sociale.
Pa e lexuar fare e bëri Kurti këtë, me pretendimin se Rama nuk ishte konsultuar me kryeministrin e Kosovës përpara se ta nisë. Pavarësisht se Kurti nuk dëgjon askënd, pavarësisht se halli në këto momente është i Kosovës dhe ai që ka hall pyet, kërkon ndihmë madje dhe qahet. Por Kurti s’lajmëron as ata që e mbrojnë dhe e mbajnë me bukë Kosovën, SHBA-të dhe BE-në, për të gjitha lëvizjet mbrapsht që bën. Jo më të pyesë për Ramën që e ka ‘armik në dispozicion’.
Në fund të herës ajo që mund të themi është se lirimi i 3 policëve të rrëmbyer, në BE vlerësojnë se ka kontribut të fortë pikërisht Edi Rama, i la pa ‘tekst’ dhe pa ‘kauzë’ përplasjeje Vuçiçin dhe Kurtin. Të cilët u vunë në kërkim të shpikjes së përplasjeve të reja. Ndërsa Kurti e filloi ende pa mbërritur policët e liruar në shtëpi, duke ekspozuar fishekë dhe armë të kapura në një makinë me targa Beogradi, e duke e këmbëngulur se serbët kanë qëllim hapjen e një fronti lufte në Veri të Kosovës, Vuçiç nuk qëndroi pas me provokimet e njëpasnjëshme se është gati me ushtrinë në kufi, ndonëse në një shkallë më të ulët gatishmërie.
E dinë si dreqi të dy se nuk kanë ‘b***ë’ të bëjnë luftë, njëri ka qënë shef propagande në kohën e Milosheviçit dhe tjetri zëdhënës i UÇK për pak kohë dhe protestues profesionist rruge, dhe ku asnjëri prej tyre nuk di as të mbushë dhe qëllojë me armë. Për më tepër që NATO ka trupat në Kosovë dhe nuk lë as ‘mizën të lëvizë’, jo më të lejojë luftë. Kosova e ka fituar luftën njëherë, nuk lëviz më ky term, por po humb paqen me përpjekjen titanike të Albin Kurtit.
E vërteta është se strategjia e konfliktit ‘të kontrolluar’ mes Vuçiç dhe Kurtit, solli që mbi 500 trupa të NATO-s të shtohen e bllokohen në Kosovë në përbërje të KFOR, në vend që të shkonin për të forcuar krahun lindor të Aleancës përballë rrezikut rus, i cili ka sulmuar Ukrainën dhe po bën masakra atje. Mirë Vuçiçin e kuptojmë se është në linjën sllave dhe luan me ‘dy porta’, por Kurtin ende nuk e kemi marrë vesh se përpos përfitimit në vota, çfarë qëllimi tjetër ka. Duke vijuar me këmbëngulje të humbë paqen në Kosovës, dhe kthimin e situatës në pikën e nisjes, ku tashmë nuk flitet më për integrim dhe njohje, por për garantim sigurie. Por dhe me rrezik ndarjeje të Veriut për ta marrë nën kontroll KFOR dhe një izolim të plotë të Kosovës.
Pasi në vend që të qetësoheshin të dyja palët me rastin e lirimit të 3 policëve, u vunë në kërkim të përplasjeve të reja. Të cilat gjenden lehtë, kur e ke qëllim në vetëvete. Dhe në këto ditë, kur SHBA dhe BE kërkojnë zbatimin e 3 pikave të BE për shtensionimin e situatës, uljen në dialog dhe zgjidhjen e krizës dhe me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit që ka brenda Asociacionin, Vuçiç provokon duke dërguar djalin në festën e Vidovdanit në Graçanicë, të veshur me bluzën me një mbishkrim provokues.
Ia ‘pret’ me ‘iso’menjëherë Albin Kurti nga ana tjetër që e ndalon djalin e Presidentit serb, dhe zgjat dy ditë ky konflikt, derisa bota merr vesh se ai iku shëndosh e mirë në shtëpi. Populli derisa ta mësojë të vërtetën, është ‘karikuar’ mirë e mirë kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA-BE, me keqkuptimin se ‘që lejojnë serbët të provokojnë në territorin e Kosovës’.
Teksa Kurti paraqiti të enjten planin prej 4 pikash për zgjidhjen e krizës në Veri e normalizimin të marrëdhënieve me Serbinë, duke lënë po 4 pika të tjera si ‘detyrë shtëpie’ për Vuçiçin që t’i realizonte, i ‘shoqëron’ dhe me një vendim, të pakonsultuar me partnerët ndërkombëtarë, por që ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me dëshirën e angazhimin e Kurtit për uljen e tensioneve.
Po të enjten qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste, “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të Sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe. Pra një hap para e dy prapa Kurti, vetëm që të mos firmosë Asociacionin. Në unison me Vuçiçin.
Anipse ambasadori amerikan në Prishtinë u shpreh se për këtë vendim Kurti s’ishte konsultuar, madje as i kishte lajmëruar më parë, duke ia lënë si “surprizë’ njohjen me këtë vendim përmes deklaratës për media. Shqetësim që u ngrit dhe në nivelin e DASH, që paralajmëroi fort.
“Një vendim i tillë duhej të ishte koordinuar me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës. Departamenti i Shtetit i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa “punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”, është qëndrimi zyrtar i qeverisë amerikane. Është qëndrimi i vendit që garanton sigurinë e Kosovës, se të jetë për Albin Kurtin, do ndodhë si me 3 policët e rrëmbyer nga 3 specialët serbë brenda territorit të Kosovës, pa asnjë pushkë të shkrehur.
Pra Kurti dhe Vuçiç, kanë një qëllim: mbajtjen e këtij konflikti ndezur, mbajtjen e situatës në Veri të pandryshuar, vetëm e vetëm për të përfituar politikisht. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet ndryshe kërkimi i rrugëve për të bërë sherr, herë përmes rrëmbimeve, herë përmes shpalljeve ‘terroriste’ të organizatave në Veri, e herë me dërgimin e familjarëve për të provokuar qytetarët.
Kur BE kërkon respektimin e tre pikave për shtensionimin e situatës, propozohen nga 4, 5 e deri në 8 pika, që rrotullohen e rrotullohen, por qëllimi i vetëm është kundërshtimi i gjithçkaje që propozojnë ndërkombëtarët. Teksa Kurti është solid, nuk dëgjon asgjë që kërkojnë SHBA e BE, Vuçiç për hir të së vërtetës përfiton duke e vënë Kurtin përballë partnerëve, konflikt që e zhyt akoma më tej Kosovën në pasiguri dhe mungesë besimi nga aleatët e mëdhenj. Vuçiç e ka qëllim në vetëvete këtë, për ta lënë Kosovën vetëm, pa asnjë mik afër. Madje dhe pa Shqipërinë.
Eshtë e vjetër thënia se “çdo popull meriton qeverinë që ka”. Por kjo qeverisja e Albin Kurtit po e zhbën Kosovën me shpejtësi, duke dëmtuar jo vetëm shqiptarët në shtetin më të ri në Europë, por dhe shqiptarët në të gjithë rajonin e Ballkanit. Kurti dhe qeveria e tij janë bërë aq të pabesueshëm, sa po barazohet Kosova me Serbinë. Pra viktima me agresorin. Si pasojë, zgjidhja e vetme është kalimi i vendit në zgjedhje të parakohëshme. Nëse qytetarët e Kosovës votojnë sërish Kurtin, ta gëzojnë. E meritojnë ‘heroin’ e tyre legjendar që lufton ‘bajlozët’. Nëse jo, ka ardhur koha për të ndalur tatëpjetën e Kosovës, pasi po ecën me shpejtësi në drejtim të greminës.
Ndëshkimet e para të BE kanë nisur. Media lajmëron se Komisioni Evropian i ka dërguar zyrtarisht qeverisë së Kosovës listën e sanksioneve që BE i vendos Kosovës lidhur me mungesën e vullnetit për depërshkallëzimin e situatës në Veri dhe mos respektimin e angazhimeve të marrë në Samitin e Ohrit rreth normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ia ka zv.kryeministri Besnik Bislimi në tavolinë dhe besojmë ia ka dërguar dhe Albin Kurtit.
Këto sanksione janë përmbledhur në tre pika, aq sa kanë qënë kërkesat për Kurtin nga BE: Përjashtim nga takimet e nivelit të lartë. Pra ministra, zv.ministra e sigurisht Kryeministri Albin Kurti nuk do të ftohet më në asnjë takim të nivelit të lartë; Do të pezullohen takimet që janë pjesë e e MSA , komitete, nen komitete etj, derisa të rikthehet gjendja normale e raporteve të Kosovës me BE; Tërhiqet mbështetja financiare për projektet me interes te veçantë për qeverinë. Dhe vendimi është marrë nga takimi i Ministrave të Jashtëm të BE dy ditë më parë. Ta gëzoni ‘heroin’. Dhe kur nisin sanksionet, nuk ndalen. Albini ia arriti ta vërë nën sanksione Kosovën dhe qeverisjen e saj. Duke e kthyer sëprapthi gjithçka të mirë të arritur deri më tani.
Pra, një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët e Kosovës, Albin Kurti nuk është ‘heroi’ që po mund SHBA e BE, s’është ‘luftëtari’ që po lufton kundër ‘krijuesve’ të shtetit të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj, pasi këtë sovranitet pikërisht SHBA e BE e garantojnë. Por Albin Kurti është anti-heroi që po rrënon Kosovën duke e larguar nga integrimi, po i largon miqtë e mëdhenj, po e sanksionon dhe izolon. Njëherësh, Kurti është njeriu që po lartëson Vuçiçin dhe Serbinë.
Toka nuk eshte si bagetia qe shitet ne pazar.
PërgjigjuLereni qeverin dhe Kosoven rehab o Enverista serborus, të mallhuset qofshin tradhtarët shqipfolës që shkelni mbi kufomat e masakruara të mëse 1550 fëmijve nga Dora e fashizmit serborus….
PërgjigjuVETEM ARBER NUK JE ...TI JE SERB SHQIPFOLES
Opinion ose analize mbi "përshtypjet, perceptimet e mia" ndaj veprimeve politike e sjelljeve të aktoreve relevante ne situaten aktuale ne Kosove,nuk te thote asgje.Te tillë opinione e pershtypje personale sheh dhe ne dhjetra media te tjera dhe lexuesi apo degjuesi mbetet perseri i turbulluar.Aman moj gazeta te respektuara.Per analiza politike gjeni ekspertet e fushes.Paguani ndonje honorar dhe intervistoni eksperte te fushes, psh:njerez me reputacion te shkencave politike, politologe etj.Psh:Daniel Server, psh:Blendi Kajsiu.Produktet nga prodhues jo te fushes e jo te specializuar e çertifikuar jane barabar me produkte te manipuluara. Qofshi mire me shendet.
PërgjigjuJam shume dakort me ato qe shkruhen ne artikullin e mesiperm,por nuk po arrihet te demaskohet burimi i te keqes,qe e ka emrin Sali Berisha.Albin Kurti ka baba shpirteror Berishen,antiamerikanin me te zellshem ,mikun e serbise,qe e ka ndihmue ate,pikerisht kur luftonte kunder popullit kosovar.Mire qe Albini eshte qorr e shurdh,po populli a nuk e sheh me sy rrezikun ? Albin Kurti e quan vehten patriot,etj.etj.por eshte ,si thote populli nje koqe kandari.Po b/punetoret e tij cfar bejn ? Se besoj se te gjithe jane me mendjen e Albinit,por posti,paraja,karrika ....Po per popullin e mendon njeri.Vertete ne qofte se populli nuk e heq nga ajo karrike,themi " ta gezojne ".ose ne gjuhen e thjeshte " ja pafshin piken e hajrit "
Përgjigju