Edi Rama, Albin Kurti dhe Richard Grenell

Kosova & Rajoni

Kurti i përgjigjet sërish Grenell: Me SHBA jemi miq edhe pse kemi keqkuptime, qeveritë e tjera ishin servile! Marrëdhëniet me Shqipërinë? Pres më shumë mbështetje

8 Shkurt, 22:27| Përditesimi: 8 Shkurt, 22:46

  • Share

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i përgjigjet sërish emisarit për Misione të Posaçme të SHBA, Richard Grenell. Në një intervistë televizive një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Albin Kurti duke komentuar deklaratat e Grenell i cili e cilësoi si një partner jo të besueshëm për SHBA, thotë se raportet e Amerikës me Kosovën nuk janë të këqija.

Për emisionin ‘Top Story’, Kurti tha se mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrëdhënie partneriteti duke theksuar se “jemi miq edhe përkundër moskuptimeve”. Sipas tij, kurrë Kosova nuk ka pasur marrëdhënie më të mira partneriteti dhe aleance me Perëndimin se sa tani, duke theksuar se qeveritë e mëparshme kanë qenë servilite ose raportet me SHBA i kanë pasur si armiq. 

“Kurrë s’ka qenë pasaporta e Kosovës më e fuqishme, kemi liberalizim veç zonës Shengen, kush e mori grantin më të madh amerikan, qeveria jonë, kush po blen helikopterë, sistem antitank, qeveria jonë. Çfarë më të këqija?! Është vëzhgim sipërfaqësor.

Nuk janë marrëdhënie të këqija politike, janë partneritet, përpara kanë qenë ose armiqësi ose servilitet, unë jam për normalitet, partneriteti është normalitet, ne jemi miq edhe përkundër moskuptimeve, kurrë nuk mund të jesh miq me dikë nëse parakushti është që të pajtohesh me gjithçka tërë kohën.

Nuk është e vërtetë, po lej këto broçkulla opozitare, ata shkojnë deri në Amerikë për të luftuar qeverinë Kurti, kjo tregon sa të dobët janë dhe sa i fortë jam unë. Kurrë nuk kemi pas marrëdhënie më të mira partneriteti dhe aleance me Perëndimin se sa tani, dua të mësohen njerëzit, nuk mund ta kem qëndrimin për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar siç e ka Brukseli dhe Uashingtoni, unë e kam më të avancuar”, theksoi Kurti.

Gjatë intervistës, ai foli edhe për marrëdhënien e dy shteteve tona  dhe bashkëpunimet e suksesshme që kemi pasur. Kurti u shpreh se pavarësisht mospajtimeve, pret më shumë mbështetje nga Shqipëria.

“58 marrëveshje kemi bërë me qeverinë e Shqipërisë, kurrë nuk ka pasur shkallë më të lartë të realizimit. 22 vite pas çlirimit të Kosovës fëmijët kanë mësuar me dy abetare të ndryshme dhe vetëm me ne kanë tani një abetare.

Partneri kryesor tregtar me qeverinë tonë është Shqipëria, me ata para nesh ka qenë Serbia. 26 vendkalime të reja kemi hapur. Po ashtu 2 organizime ndërkombëtare sportive po i bëjmë bashkë. Enciklopedinë shqiptare po i bëjmë bashkë, po financojmë me bursë Shqipëria studentë të Kosovës, dhe ne studentë të Shqipërisë.

Ne mund të kemi ndonjë mospajtime, unë pres mbështetje më të madhe nga Shqipëria nga kjo që kam, besoj është dhe obligim i Shqipërisë, por nga ana tjetër janë të pamohueshme sukseset që kemi pasur.

Kemi zyra doganore dhe në Porto Romano dhe në Durrës, do bëjmë hekurudhë Prishtinë-Durrës, unë besoj se aty do jetë dhe segmenti Gjakovë-Shkodër dhe do të kemi dhe bashkëpunim më fushën e mbrojtjes sepse jemi dy shtete, por një komb. Brezat e ardhshëm kurrë të mos kenë më frikë nga agresionet shtetet fqinje. Shekulli kaluar ka nisur me luftëra ballkanike, tmerr!

Duhet të kemi një brez që plaket pa luftë. Për këtë na duhet ushtria e fortë. Shumë mirë që Shqipëria është në NATO, që i janë hapur negociatat për anëtarësim në BE.  Ne i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë. Por dhe Shqipëria duhet të ketë qëndrimin për Kosovën, si Kosova që e ka për vete dhe këtu mendoj se ka më shumë hapësirë për përmirësim, avancim”, tha ai.

Polemikat në distancë mes Kurtit dhe Grenell nisën pasi i dërguar i SHBA, tha se Kurti nuk është një partner i besueshëm për SHBA. E madje sipas tij bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Replika i erdhi nga Kurti që tha se raportet e Kosovës me SHBA janë më të mira se kurrë, deklaratë e cila mori kundërpërgjigjen e Grenell i cili tha se raportet marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të ulëta.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha planifikon të shpërbëjë SPAK nëse fiton më 11 maj, çfarë mendoni?