Kryetari i LVV Albin Kurti dhe kryetari i PDK Memli Krasniqi

Kosova & Rajoni

Albin Kurti thërret në takim liderët e PDK dhe LDK për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

30 Prill, 18:24| Përditesimi: 30 Prill, 18:29

  • Share

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit të Kosovës.

Ai i ka ftuar ata në takim të përbashkët të enjten në orën 8:30, rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës konstituive të Kuvendit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e saj, për shkak të mospajtimeve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosjes, dhe disa prej partive më të mëdha parlamentare, për postin e kryetarit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit - i nisur më 15 prill - ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, pasi Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si "figurë përçarëse", derisa LDK-ja ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, deri tani e ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti. Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh. AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse në një koalicion parazgjedhor, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Kjo është hera e parë që Kurti e fton në takim Memlin e PDK-së, ndërsa hera e dytë Abdixhikun e LDK-së, i cili nuk e kishte pranuar ftesën e tij të parë.

Thirrja e Kurtit për takim vjen disa orë pasi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.

“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, shkroi Rohde.

Rohde thotë se është i shqetësuar nga vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re. Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota. Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t'i formojë shpejt institucionet e reja./REL

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kontrata e lobimit të PD, besoni se SPAK do zbulojë burimin e financimit?