Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Kurti kundër SHBA-BE, kurthi i Vuçiç që i lë 'targën' dhe anulimi i 'vizave'

23 Nëntor 2022, 19:23| Përditesimi: 23 Nëntor 2022, 19:27

  • Share

Albin Kurti po e fut Kosovën në një qerthur konflikti me partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, gjë që nuk sjell asgjë të mirë për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan.

Eshtë një konflikt artificial, të cilin nëse e mendon hollë hollë ngjason më shumë me një “sovranizmin” e plakave të lagjes, që as i pyet njeri se çfarë thonë dhe çfarë bëjnë, por mjafton që të ecin vetë dhe me shkop, të shkojnë vetë në banjë dhe kur të dalin për të bërë ato muhabetet që janë rëndom në “mënynë” e tyre, të arrijnë të gjejnë shtëpinë për të ngrënë vaktin e radhës e për të kaluar ditën apo natën në banesë.

Albin Kurti praktikisht nuk është me ‘këmbë në tokë’ si politikan e jo më si një kryetar qeverie, pasi me delirancën e tij proverbiale po arrin të largojë një nga një të gjithë miqtë e mbështetësit, pikërisht ata që shpëtuan shqiptarët e Kosovës nga genocidi serb dhe e çliruan përfundimisht nga zgjedha serbe, duke i dhënë dhe pavarësinë e shpallur zyrtarisht si shtetin më të ri në Europë.

Kuptohet, Kosova një ditë e tillë e arriti falë luftës së UÇK, komandantëve të saj dhe mbështetjes ushtarake e politike të NATO-s të udhëhequr nga SHBA e BE, por që paradoksalisht Albin Kurti, falë “përpjekjes titanike” të tij po arrin t’i zhgënjejë deri në palcë partnerët tanë SHBA dhe BE me ato që thotë dhe mbi të gjitha me ato që po bën.

Fundja, nga një lider që kërkon distancim deri në armiqësi me shtetin amë, Shqipërinë dhe liderët e saj qeverisës, që kanë qënë mbështetje e hapur për gjithçka i “dhemb” Kosovës, çfarë mund të presësh tjetër nga Albin Kurti, përpos konfliktit e armiqësimit dhe me aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. E ka në “ADN” e vet një sjellje të tillë politike Albini.

Nëse ndjek me vëmendjen sjelljen politike të Albin Kurtit, do shohësh fare lehtë se kryeministri aktual i Kosovës mezi pret një pretekst për të “ngecur” me SHBA-në dhe BE, për t’i bërë ata që t’i lutën por dhe t’i dërgojnë ultimatume se po vepron kundër asaj që kërkohet, pikërisht në kulmin e situatës së luftës pas agresionit rus ndaj Ukrainës, dhe kur Putin i sheh si “dhurata” të shumëpritura të gjitha tentativat për tensionim dhe destabilizim të situatës në Ballkan. Madje nuk mungon që t’i nxisë edhe vetë konflikte të tilla. E ka shumë të lehtë. Ndërsa Albini armiqësinë me Perëndimin e quan “qëndresë”, duke u shitur para militantëve të Vetëvendosjes si lider unik.

Dhe kur thamë se Albin Kurti ka rënë në nivelin e diskutimit ngjashëm me plakat e lagjes, i referohemi tensionimit të krijuar në Veri të Kosovës për çështjen e targave. A thua kjo është çështja më e rëndësishme në Kosovë dhe nga targimi i veturave varet ekzistenca e shtetit më të ri shqiptar në Europë. Jemi dakord, duhet të ketë paritet mes dy vendeve por bëhet dhe politikë, ka dhe lëshime, sidomos kur të luten aleatët më të afërt e të mëdhenj, ata që të mbështesin pa kufi.

Ia kërkojnë gati me lutje SHBA dhe BE që të lëshojë pe dhe të shtyjë afatin e targave, qoftë dhe disa muaj, por Albini nuk lëviz nga qëndrimi i tij. Bën sikur është dakord dhe në fund të herës, kthehet “kryq” përballë partnerëve, a thua është kryeministri i një vendi superfuqi ekonomike e ushtarake, që me potencialin e saj “rrezaton” siguri ekonomike dhe paqe në rajon e më gjërë.

Përkundrazi! Nëse larg qoftë, e lusin serbët e rusët një gjë të tillë, trupat e NATO-s të kryesuara nga SHBA largohen në Kosova, gjë që s’ndodh për shkak të strategjisë gjeo-politike të aleatëve tanë të mëdhenj, atëherë Albin Kurti dhe qeveria e tij do të mbeten të ‘zhveshur’ përballë Serbisë apo kujtdo që ia ka qejfi ta provokojë. Dhe ta dhunojë madje!

Fundja Albini dhe tani që po flasim e ka kthyer Kosovën tërësisht të varur nga Serbia, e cila dominon në të gjithë elementët jetësorë të saj. Pasi mbi 80 përqind e volumit të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare bëhen me Serbinë, tjetër që Albin Kurti bën si patriot që “nuk tërhiqet nga vendimi për zbatimin e marrëveshjes së targave”.

Anipse këtë ia kërkojnë SHBA dhe BE, dhe me gojën e zyrtarëve më të lartë të tyre madje. Askush nuk vë në dyshim faktin se qeveria amerikane e ajo e BE e dinë çfarë kërkojnë dhe çfarë bëjnë. Fundja nuk mund t’ia falin askujt Kosovën e çliruar prej tyre dhe UÇK-së me forcën e armëve dhe pas bombardimeve masive ndaj Serbisë, 21 vite pasi e çliruan nga pushtimi serb.

Ndonëse Albin Kurti akuzon SHBA dhe BE-në, apo më konkretisht të dërguarin amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor Escobar dhe shefin e politikës së jashtme të BE Borrel, me argumentin se i kanë dalë “llafit” në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së targave me Serbinë, me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, ai mendoi se i kishte punët në rregull.

Duke qënë një ‘adult” funksional në politikë, Albin Kurti mendoi se qëndrimi i Serbisë mund të formatohej përmes titujve të mediave, të cilat “injektoheshin” me lajme kallp nga Vuçiç, sipas të cilave mësohej se Serbia s’kishte pranuar propozimin fillestar për targat dhe planin franko-gjerman për zgjidhjen e krizës në Veri të Kosovës. Madje dërgonte sinjale në media se do ta refuzonte një gjë të tillë.

Me këtë mendje shkoi Albin Kurti, teksa bënte si i dyzuar për këtë çështje, duke u prononcuar herë vetë e herë dhe përmes vartëses së tij presidentes Vjosa Osmani deri në momentin e fundit. Albini mendonte presidenti serb sillej me mediat sikurse sillet vetë ai vetë në Kosovë, ku pasi e emeton dhe publikon lajmin në mediat që të mbështesin, fillon ta besosh dhe vetë lajmin. Politika e diplomacia nuk është punë mediash por punë lidershipi.

Vuçiç si një “dhelpër” politike, fundja të gjithë udhëheqësit serbë ia kanë dalë të aktrojnë shumë mirë rolin e ‘viktimës’ në Ballkan, madje duke shkuar deri atje sa tashmë nuk po shihen më as si agresorë që shkaktuan disa luftëra në rajon, në fund të herës deklaroi se ishte pro marrëveshjes së propozuar nga drejtuesit e BE. Por dhe të mbështetur nga SHBA.

Ishte një kurth i pastër i Vuçiç për Kurtin, i cili mbeti brenda tij, me dashje apo pa dashje, duke e vënë veten përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.

Dhe pikërisht qëndrimi që vjen nga Uashingtoni dhe Brukseli për Kosovën e drejtuar nga Albin Kurti nuk është aspak i mirë. Përkundrazi, tregon se ka nisur një farë distancimi, pasi Kurti ia ka dalë që të jetë kundër në të gjitha herët. Madje pa pyetur askënd, shqiptarët që kishte premtuar se do t’i pyeste për çdo lëvizje të tij jo e jo, por as liderët e opozitës apo të aleatëve politikë në Kosovë. Albin Kurti vendosi vetë.

SHBA dhe BE e cilësuan kundërshtimin e Kurtit për targat një “sinjal shumë të keq politik për Kosovën”. Ndërsa veprimet e kryeministrit i cilësuan si shumë zhgënjyese dhe aspak në shërbim të sigurisë së rajonit dhe uifikimit me partnerët ndërkombëtarë siç kishte premtuar, sipas tyre. E për këtë arsye, Kurti në fillim nxjerr Osmanin, pastaj del vetë dhe në fund të herës ngre gjithë “armatën” e “patriotëve” politikë, mediatikë dhe të rrjeteve sociale kundër Escobar dhe Borrel.

Eshtë luks i tepërt një përplasje e tillë, thjeshtë dhe vetëm për targat dhe mbi të gjitha për egon e pashuar të Albin Kurtit për protagonizëm politik. Madje dhe përballë “ustallarëve” duke i sfiduar dhe bërë karshillëk. Madje dhe duke i sulmuar në mënyrë të drejtëp[ërdrejtë.

Të gjitha këto lajthitje politike të Albin Kurtit në dëm të shtetit që drejton, bëhen në momentin kur ka probleme të tjera madhore, që është asosacioni i komunave serbe në Kosovë që i duhet dhënë zgjidhje deri tek ngritja e diplomacisë në nivelin e duhur agresiv për realizimin e njohjeve të të gjithë vendeve anetare të BE, që do t’i garantonte një “ulëse” në OKB, si vend anëtar i saj.

Dhe përfituesi i vetëm është pikërisht Serbia dhe presidenti Aleksandër Vuçiç. I cili ka marrë vlerësimet e ndërkombëtarëve dhe po nënvizohet rëndshëm elasticiteti politik i tij. Po ndryshojnë rolet me një fjalë, dhe tërë barra e përgjegjësisë për dështimin e uljes së tensioneve në Veri të Kosovës dhe kufirit me Serbinë po i bie Albin Kurtit. Me një fjalë Kosovës, se atë përfaqëson.

Me sa duket Kosova pak e nga pak po e humb besueshmërinë tek aleatët tanë ndërkombëtarë, mbështetësit kryesorë të shtetit më të ri shqiptar në Ballkan. Balanca ka anuar fatkeqësisht jo në drejtim të Kosovës, e kjo vihet re në deklaratat e njëpasnjëshme të përfaqësuesve të BE e SHBA. Çka mund të sjellë hap pas hapi mosmarrjen në referencë të asaj çka thotë dhe kërkon lidershipi i Kosovës dhe për pasojë ftohja nga ana e aleatëve mund të rezultojë fatale për vetë Kosovën.

Kjo u pa dhe në lëvizjet më të fundit politike të vendeve të BE që nuk paralajmërojnë asgjë të mirë për Kosovën, aktualisht të keqdrejtuar nga Albin Kurti. Jo më larg se një natë më parë, Presidenca Çeke, në momentin e fundit, ka njoftuar vendet anëtare se e ka hequr nga rendi i ditës të takimit të Coreperit, miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Paçka se në këtë takim, vendimi do kalonte si një formalitet, pa asnjë mundësi diskutimi. Pra ishte e sigurtë.

Por akoma më goditës ishte justifikimi i anulimit të vendimit formal për liberalizimin e vizave. Presidenca çeke, si arsyetim për heqjen nga rendi i ditës, e shtyrjen për takimin e radhës të kësaj trupe vendimmarrëse ku janë ambasadorët e vendeve anëtare, ka përmendur zhvillimet politike në Veri. Të tensionuar nga “targat” e Albinit, të cilat ia ka “peshqesh” Vuçiç.

Sipas mediave në Kosovë, në këtë vendim ka pasur ndikim dhe kërcënimi disa ditë më parë ndaj Kosovës nga ana e zyrtarit të lartë të BE për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, i cili e fajësoi zyrtarisht Kosovën për refuzim të propozimit të BE për zgjidhjen e krizës rreth targave të veturave. Borrell ka thënë se ai do të njoftojë për sjelljen e palëve ministrat e vendeve anëtare, dhe kjo “çon sinjal negativ politik”, e vlen posaçërisht për Kosovën.

Kjo është hera e parë që në procesin e vendimit për liberalizimin e vizave, e në çfarëdo mënyre vendimet apo agjende, lidhen me dialogun dhe situatën në Veri të Kosovës. Deri më tani në BE, gjithmonë kanë këmbëngulur fort se procesi i dialogut dhe ai i liberalizimit të vizave janë dy procese të ndara nga njëri-tjetri. Kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën, madje është dramë.

Pasi sipas tekstit të vendimit, me të cilin janë pajtuar vendet anëtare në takimin e këshilltarëve për vizat më 22 nëntor, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi së bashku me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Por kokëfortësia e Albin Kurtit për të vënë në “murin” e armiqësisë, SHBA-të e BE-në, përmes kundërshtive e kalkulimeve foshnjarake politike me synimin e mbajtjes së situatës së tensionuar në Kosovë që me “kutin” e Albinit i shërben axhendës së tij politike brenda vendit, si dhe me “kurthin” e Vuçiç për të dhe aplikimin me sukses të rolit të “viktimës” prej tij, ka bërë që për herë të parë Kosova të shihet me një sy të ftohtë nga partnerët ndërkombëtarë.

Por jo vetëm kaq, por janë detyruar dhe të marrin sanksione ndaj Kosovës, duke ndryshuar balancën e mbështetjes për herë të parë. Madje Kosova rrezikon që të mos merret më seriozisht nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë nëse vijohet me këtë mënyrë sjelljeje politike, dhe ky është vërtetë një sinjal i keq dhe negativ për Prishtinën. Eshtë traumë për shqiptarët aty.

Duke qënë se Albin Kurti nuk e ka fuqinë politike të marrjes së përgjegjësisë për fatet e Kosovës, s’ka bërë asgjë për çlirimin e pavarësinë e saj që të merrte vendime të forta e të padiskutueshme, duke qënë se nuk ka as “stofin” politik të një lideri që vendos në të mirë të shtetit që drejton, ka ardhur koha që ai t’i drejtohet shqiptarëve të Kosovës ose përmes një referendumi mbarëpopullor ose përmes zgjedhjeve të parakohëshme. Pasi Kosova po rrëshket gjithnjë e më poshtë.

Dhe larg qoftë, në rastin e një konflikti në Veri, parë dhe në kontekstin e ftohtësisë së partnerëve tanë dhe mosmarrjes seriozisht të lidershipit të Prishtinës zyrtare, sikurse e nënvizuam më lart, Kosova rrezikon të mbetet e braktisur nga aleatët, thjeshtë dhe vetëm për targat. Dhe kur vjen e keqja e parë, të tjerave “hapu derën”.

Në mungesë të një lidershipi serioz, Kosova rrezikon të humbasë shumë,ndoshta tërë Veriun, që praktikisht komandohet që tani nga Beogradi, apo dhe zgjidhje të tjera aspak të favorshme për të, duke e kthyer këtë vend në pikën e nisjes. Thjeshtë dhe vetëm për faj të Albin Kurtit.

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • UKU MOMLIT: 23/11/2022 20:34

    ALBIN KURTI ESHTE NJERIU SHTETAR ME SERIOZI NE KRYE TE KOSOVES QE E KA VOTUAR MBI 50% E POPULLIT.AI ESHTE DIGE E PAKALUESHME JO VETEM PER LEHAQENTË NE PRISHTINËS E TIRANËS POR EDHE SHOVINÌZMIN BEOGRADAS.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?