Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim ditën e sotme me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Sipas mediave kosovare, pjesë e diskutimit ka qënë kërkesa e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve të saja presidenciale dhe parlamentare në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar se për këtë çështje ai ka informuar OSBE-në se për organizim të votimeve jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.
Po ashtu, autoritetet kosovare bëjnë me dije se kryeministri i Kosovës ka shprehur keqardhjen para ambasadorëve të QUINT-it. për injorimin e thirrjes së tij ndaj Serbisë.
“Ai shprehu keqardhjen e tij për mungesën e gatishmërisë se Serbisë për një marrëveshje të tillë që do të ju mundësonte shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhje sipas praktikave më të mira evropiane ndërshtetërore për votim nga jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.