Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kandidatët për deputetë për Kuvendin e Shqipërisë, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani kanë zhvilluar një takim virtual me komunitetin shqiptar në Itali.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Kurti kujton se ky vit ka shënuar 30 vjetori e eksodit të madh të shqiptarëve, drejt brigjeve të Pulias në Itali. Kryeministri kosovar, shkruan se për 3 dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë, megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga institucionet. Ai shton se shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e dy vendeve.
“Si Qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash. Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikëbërje.”, shkruan ai.
Gjatë takimit virtual të zhvilluar është diskutuar rreth nevojës së hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjve, thithjes së kapitalit human, njohjen e kontributeve shoqërore, vlerësimit të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes ekonomike si dhe rolit të arsimimit dhe gruas në shoqëri
“Ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar. Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes.”, shkruan në fund Kurti.