Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca në të cilën po diskutohet edhe mbi tensionet në veri të vendit dhe rrëmbimin e 3 policëve nga ana e forcave serbe. Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur në seancën e sotme, ndërsa lidhur me rrëmbimin e 3 policëve ka folur kryetari i PDK, Memli Krasniqi i cili ka kërkuar që Kurti të përgjigjet për aktin e agresionit që Serbia ka kryer ndaj Kosovës.
Ai tha se prioritet duhet të jetë kthimi i 3 policëve dhe garantimi i sigurisë së tyre. Ai kërkoi që kryeparlamentari Glauk Konjufca të kontaktonte Kurtin për të raportuar mbi veprimet e qeverisë të ndërmarra në këtë situatë.
“Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është një akt agresioni kundër Republikës sonë. Është e paekuivoke shkelja e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në këtë moment përtej qëndrimeve e vlerësimeve të kujtdo prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tanë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre. Andaj, i nderuar kryetar, unë ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të Kosovës të kontaktoni më kryeministrin Kurti, që ta ftojmë të vijë sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e qeverisë që janë duke i ndërmarrë për kthimin e policëve tanë, por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veriun e vendit”- u shpreh Krasniqi.
Lajmi në përditësim...