Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Pa dorëzimin e Radoiçiqit s’ka mirëbesim në dialog

28 Qershor, 19:56| Përditesimi: 28 Qershor, 19:59

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës s’mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Tridhjetë e nëntë persona të atij grupi, nga 47 të identifikuar qartë ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga INTERPOL-i. Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në sulm mbeti i vrarë një rreshter, ndërkaq gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Në rundin e dialogut, të mbajtur më 26 qershor, Bashkimi Evropian tha se Kurti nuk ishte i gatshëm për një takim trepalësh me ndërmjetësit evropianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas takimit tha se Kurti paraqiti tri kushte, të cilat Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht.

Përveç dorëzimit të Radoiçiqit, Kurti ka kërkuar që Serbia të tërhiqet nga letra që kishte dërguar në bllokun evropian ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kurti ka kërkuar që kjo marrëveshje, e arritur vitin e kaluar të nënshkruhet.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjes – që sipas BE-së është ligjërisht e obligueshme për palët – garantohet zbatimi i saj.

“Në tri takime dypalëshe sa u zhvilluan të mërkurën ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë Marrëveshjen Bazë e cila është nën sulm të vazhdueshëm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm të respektojë asnjë. Pra, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”, tha Kurti.

“Nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptojë formalizimin, tërheqja e letrës së Bërnabiq do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?