Albin Kurti

Kurti: Pasi nuk nënshkroi, Vuçiç nuk pajtohet me propozimin evropian

2 Mars 2023, 14:28| Përditesimi: 2 Mars 2023, 18:15

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, të enjten, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk pajtohet me përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve. Refuzimi për ta nënshkruar është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen”, tha Kurti duke iu referuar takimit të nivelit të lartë mes tij dhe Vuçiqit në Bruksel, më 27 shkurt, ku u diskutua propozimi evropian.

Teksti i këtij propozimi që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë, është publikuar mbrëmjen e 27 shkurtit. Pas takimit në Bruksel nga përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, u tha se edhe Kosova e Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeja. Lidhur me tekstin e propozimit evropian, pati kritika nga opozita kosovare, të cilët më herët të enjten kërkuan debat parlamentar me kryeministrin Kurti. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku që ishte propozuesi i mocionit për mbajtjen e këtij debati kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti preambulën e tij.

Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër tjerash përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.

“Në një rast të paprecedent Kosova pajtohet me pa paragjykimin rreth statusit të vet politik…”, tha Abdixhiku.

Në anën tjetër, në fjalimin e tij Kurti tha se ky konstatim është gabim.

“Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ (tejkalimi i së kaluarës) është falje e krimeve të Serbisë... ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër qëndrimet e mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elemente të drejtësisë tranzicionale, nuk mund të bëhet”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se fakti që presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen bazike në Bruksel, mund të nënkuptojë përgjigjen për pyetjen se kujt i konvenon më shumë kjo marrëveshje.

Kurti në Kuvend u pyet edhe lidhur me pikën e propozimit evropian që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Marrëveshja për asociacionin është një ndër pikat më kundërthënëse në dialogun Kosovë -Serbi.

Kurti ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me themelimin e një asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato (marrëveshje) që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen - përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha në përputhje me përcaktimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Nuk lejoj përjashtime, fokusime e veçime në një (marrëveshje)”, tha Kurti.

Propozimi evropian është thënë se synon që t'i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./ REL

Ora 16:24
Kurti me propozim për vazhdimin e seancës: Mund të diskutojmë për planin franko-gjerman deri në mëngjes

1677770700_klirti.JPG

Kryeministri i i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalimin e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke treguar se nuk mund të qëndrojë më gjatë se në ora 16:00 në seancë, për shkak të një takimit.

Megjithatë, ai ka dhënë një propozim në lidhje me vazhdimin e diskutimeve në Kuvend, duke thënë se mund të vazhdojnë këto diskutime në ora 22:00 deri në orën 7:00 të mëngjesit

“Mua në ora 16:00, më duhet me shku, unë e kam një propozim, pas orës 16:00, ju ka njoftu kryetarja e Grupit Parlamentar. Por unë e kam një propozim, nëse e konsideroni shumë të rëndësishme, unë mund të vi kur të lirohem. Në ora 22:00 sonte mund të vi, edhe deri në ora 7:00 kur e kam takimin e parë, mund të diskutojmë, nëse jeni dakord, njoftomni.” – deklaroi Kurti.

F.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?