Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e një bisede me dy komedianë rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.
Lidhur më këtë është diskutuar edhe ditën e sotme në emision ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, ku analisti Bedri Elezi, u shpreh se gjatë kësaj bisede mund të jenë ndarë informacione sekrete të cilat sipas tij, ata mund t'i përdorin kundër Kosovës.
‘Jemi befasuar për dy arsye, e para se Kurti ka një protokoll sigurie që lë shumë për të dëshiruar sepse nuk është bërë verifikim fillimisht i telefonatës që ai po bënte. Nuk është e publikuar e gjithë biseda dhe në këtë bisedë mund të jenë ndarë informacione të ndjeshme që ata mund t’i përdorin ose të shantazhojnë qeverinë e Kosovës. Shqetësuese është edhe fakti që është folur për Grenell për çështje gjinore që janë të rënda dhe e nxjerrin një kryeministrin në një pozicion që ne nuk do të donim që ta shohim’, tha ai.
Sipas Elezit, biseda mund të jetë më e gjatë, pasi në video shihet se ka ndërhyrje, ku mund të jenë prerë disa pjesë.
‘Nga video shihet qartë se ka ndërhyrje në ato regjistrime të cilat mund të cenojnë edhe sigurinë e Kosovës. Kurti mendonte se po fliste me një kryeministër dhe dyshoj se janë ndarë edhe biseda që janë bërë me partner ndërkombëtar dhe mendoj se është më e gjatë se 10 minuta dhe mund të ketë informacione që ata mund ti përdorin me shantazhe’, tha ai.
Elezi u ndal edhe tek premtimi i Kurtit se do të ketë mbi 1 miliardë euro buxhet për ushtrinë në Kosovë.
‘Ai ka menduar për investimet që kanë të bëjmë me çështjen e fabrikës së municioneve. Buxheti i forcës së sigurisë së Kosovës është evidentuar nga qeveria e Kosovës dhe dihet që është diku tek 125 milionë dhe në këtë buxhet përfshihen të gjitha shpenzimet dhe rreth 30 për qind e këtij buxheti për FSK është i destinuar për armatime dhe municione dhe s’janë vlerat për të cilat ka folur kryeministri. Por, ne jemi të bindur se kjo deklaratë ka të bëjë me planifikimin e një fabrike për prodhimet e armatimeve’, tha ai.
Komente
