Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën “Të bashkuar kundër dhunës-Mjaft!”, ka folur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt dhe rrëmbimin e më pas vrasjen e 14-vjeçares në Shkup.
Kurti ka thënë se “vrasja e porositur e Liridona Ademaj nga burri i saj” dhe “rrëmbimi i 14-vjeçares” në Shkup kanë rënduar mendjet dhe zemrat e të gjithëve.
Tutje numri një i Qeverisë së Kosovës ka thënë se vrasësit e rastit të Liridona Ademaj janë kapur e vënë prapa hekurave, duke shtuar se vetëm arrestimi nuk mjafton.
Kurti ka thënë se Gjykatat duhet t’i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe se duhet të japin dënimin e merituar.
“Vrasjet e fundit, vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj dhe kidnapimi dhe vrasja e 14-vjeçare ne Shkup, na ka rënduar mendjet dhe zemrat tona. Porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridonës janë zënë e janë vënë prapa grilave. Policia syçelë si kurrë njëherë po vepron shpejt e me efikasitet të lartë. Por s’po mjafton vetëm arrestimi. Sepse ata po e dinë që ka raste të të ngjashme e jo të pakta, kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten edhe më rëndë se herën e parë. Kemi nevoje që krejt sistemi i Drejtësisë t’i bëjë prioritet rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave. Nuk kemi si ta themi që duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike e çfarë aspirojmë të mbesim përherë”, tha Kurti.