Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it

Kurti takohet me ambasadorët e vendeve të QUINT-it: Serbia po shkel vazhdimisht marrëveshjet e firmosura

12 Maj 2023, 21:13| Përditesimi: 12 Maj 2023, 21:20

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, më 12 maj, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në takim i pranishëm ishte edhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër dhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës thuhet se në takimin me ambasadorët e QUINT-it, kreu i Qeverisë së Kosovës ka diskutuar lidhur me “procesin e dialogut” dhe “zbatimin e Marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit” për të cilat dy shtete u pajtuan më 27 shkurti në Bruksel dhe më 18 marsit në Ohër.

“Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja bazë dhe aneksi i zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, siç thuhet, në takim është biseduar edhe për nevojën që “BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes”.

Autoritetet e Kosovës, më herët kanë akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, për të cilën palët janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër.

Serbia, në muajin prill, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu, zyrtarët në Beograd kanë paralajmëruar se do të aplikojnë masën e reciprocitetit ndaj shteteve që nuk respektojnë integritetin e saj territorial.

Procesi i dialogut Kosovë –Serbia do të vijojë me takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve që pritet të zhvillohet më 15 maj.

Siç është paralajmëruar, në fokus të takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj për zbatim.​ REL

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?