Kosova & Rajoni

‘Tym i zi’ në Kosovë, Kurti nuk gjen dot konsensus me partitë pas 2 orësh takim! Opozita: I papërgjegjshëm! Kryeministri: Ofruam kompromis, nuk bllokojmë ne

28 Qershor, 16:45| Përditesimi: 28 Qershor, 21:03

  • Share

Ka dështuar për të gjetur konsensus për të zhbllokuar situatën politike takimi në Kosovë i thirrur nga Kryeministri Albin Kurti, me liderët e partive parlamentare. Opozita e akuzoi Kurtin si të papërgjegjshëm ndërsa kreu i Lëvizjes Vetvendosje tha se nuk ishte ai që bllokon arritjen e konsensusit.

U duk se do të nxirrte ‘tym të bardhë’ dhe do t’i jepte fund krizës politike por takimi i të gjitha partive politike parlamentare në Kosovës, i thirrur nga Albin Kurti, ka dështuar në Prishtinë. Konsensus për konstituimin e Kuvendit nuk ka.

2 orë bisedime në tryezë, nuk kanë rezultuar frytdhënëse, ndërsa menjëherë pas dështimit opozita e ka quajtur Kryeministrin Kurti të papërgjegjshëm dhe takimin një farsë politike. Memli Krasniqi kreu i PDK-së e quajti aktrim sjelljen e Kurtit në takim.

“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi. Megjithatë, duket se ne vet nuk do të rrimë që me e bind Z.Kurtin që me u tërheq prej bllokadës që na ka bllokuar. Ne i kërkuam shumë qartë që nesër të mos vazhdojmë me arbitraritetin e deritanishëm.”-tha Krasniqi .  

Më tej Abdixhiku ka thënë se Kurti tregoi sipas tij papërgjegjshmëri.

“Fatkeqësisht, droja jonë u vërtetua. Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje. Kurti tregoi papërgjegjshmëri.”tha Abdixhiku 

Kryeministri nga ana tjetër tha se nuk është partia e tij që po bllokon dhe se ai i kishte bërë dy lëshime për të gjetur kompromis.

“Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë nuk i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Kompromisi i dytë ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët."-tha Kurti. 

Megjithatë, sipas Kurtit është e papranueshme që partitë tjera të përcaktojnë emrin se kë do ta kandidojë Vetëvendosja për kryetare kuvendi.

Takimi i thirrur nga Albin Kurti erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la afat 30 ditë për konstitumin e Kuvendit. Të dielën është seanca e radhës në Kosovës, ku pas këtij dështimi pritet të vijojë e njëjta situatë.

Ora 19:45
Kurti pas takimit me krerët e partive në Kosovë: I ofrova dy opsione kompromisi! PDK dhe LDK e keqlexojnë Kushtetutën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e thirrur nga ai u diskutua për një zgjidhje institucionale por nuk u arrit konsensus.

“Unë kam ofruar dy opsione kompromisi në emër të VV-së. Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë s’i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim personal të saj. Ajo nuk dëshiron që të votohet dy herë për të me votim të fshehtë. Me votim të fshehtë për Albulena Haxhiun do të votohet vetëm një herë. Andaj, ne kemi lëvizur dhe kjo nuk duket se u kishte bërë përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë ishte që lë ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshja në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komisionin për votim të fshehtë që mund ta rrëzojmë me votë sepse procesi ka ngelur në gjysmë. Tash, ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat e Vetëvendosjes, mirëpo kjo nuk është mënyra se si ndërtohen shëndetshëm institucionet. Cili është kuptimi të dalësh fitues në zgjedhje, e në fund duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë. Takimi ia ka vlejtur, pasi janë sqaruar shumë gjëra, e një nga to që është e çuditshme dhe brengosëse është që për bindjen time, partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht. Nuk është as qëllimi as kuptimi i atij aktgjykimi cfarë po thuhet nga PDK dhe LDK.” -tha Kurti. 

Ora 19:30
Limaj pas dështimit të takimit me Kurtin: Kriza politike si këto zgjidhen me marrëveshje politike

Fatmir Limaj kreu i ‘Nismës’ ka thënë pas takimit me liderët e partive se si një takim i parë sipas tij dihej që do të ishte i vështirë. Më tej ai tha se në takim i ka bërë ftesë palëve të përqëndrohen në një marrëveshje politike.

“Një tryezë politike e partive politike që janë këtu në parlament e sidomos partive me shumicë shqiptare, është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje që do të çonte në konstituimin e institucioneve të Kosovës. Pas tre muajsh erdhëm deri te një takim i tillë dhe sot ky takim më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohim aktgykimin e Gjykatës Kushtetuese, e më pak është folur për atë që besoj unë është tema kryesore. Kriza politike si këto zgjidhen me marrëveshje politike, edhe aktgjykimi i Gjykateës Kushtetuese ka bërë këtë udhëzim, dhe ata që kanë pritur se aktygjykimi do të zgjidhë krizën politike, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatave, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese dhe vetë sistemin kushtetues. Takimi si takim për mendimin tim është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime të tjera. Natyrisht, takimi i parë është gjithmonë më i vështirë derisa të njihen pozicionet politike. Unë mendova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën e asaj që e presin qytetarët e Kosovës. I ftova të gjithë drejtuesit aty që të fokusohemi në marrëveshje politike, e cila menjëherë zgjidh krizën”.-tha Limaj

Ora 19:13
Dështon takimi me krerët e partive politike në Kosovë për konstituimin e Kuvendit, Krasniqi: Kurti ka mendime të çuditshme

Pas takimit të thirrur nga Kurti për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka folur dhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi. Krasniqi e komentoi takimin si një dështim dhe bëri fajtor Kurtin.

“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Kushtetueses për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë, Kurti është i njëjtë, qëndrimet e tij mbesin të njëjta dhe mentaliteti imponues vazhdon të jetë më e rëndësishme se gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin. Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat. Në imagjinatën që duan të jetë e vërteta dhe e vërteta nuk është ajo. Kaq shumë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve ne jemi në bllokadë politike të imponuar nga LVV-ja dhe Albin Kurti”, u shpreh ai.

Ora 18:52
U thirr nga Kurti, dështon takimi i liderëve politikë në Kosovë! Abdixhiku: Kryeministri e pranoi që s’ka shumicë, por kërkoi kushtëzime

Ka përfunduar takimi në mes liderëve politikë, ku temë diskutimi ishte tejkalimi i ngërçit politik. Takimi zgjati për më tepër se dy orë, ku pjesë e tij ishin të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Në dalje Abdixhiu u shpreh se Kurti e thirri këtë takim si një aktrim dhe se kjo është një farsë e tij.

“Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua në këtë takim, meqenëse se qëndrimet e deputetit Kurti ishin pak a shumë ato që kanë qenë deri më tani dhe as nuk e respektonin dhe as s’e interpretonin njëjtë vendimin e Kushtetueses edhe për votimin e fshehtë dhe për çështjen e përgjegjësisë që i takon atij. Me lejoni të theksojë se për LDK-në, përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit, me paragrafin 130 të aktvendimit të Kushtetueses. Kurti e pranoi që s’ka shumicë por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që i ka pasur deri më tani “Dhe më pas një ndërlidhje e përçudnuar e votimit për kryetar të kuvendit me nënkryetarë të kuvendit. Moslëvizja nga këto pozicione, e bën fatkeqe gjendjen e tanishme politike. Mos harroni që tani e kemi një aktgjykim të Kushtetueses dhe mosrespektimi i saj, për LDK-në është hap i parë në përmbysjen e rendit kushtetues”, tha Abdixhiku.

H.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • kola: 28/06/2025 21:05

    TYM I ZI E...mos..U FIKEM FARE TANI...

    Përgjigju
  • Parrucjani: 28/06/2025 18:50

    Hiç dorë se e çove Kosovën në greminë. Mos i jep të drejt serbve që thon, shqiptarët s'din të vetqeverisen.

    Përgjigju
  • miri: 28/06/2025 17:09

    deri sot i ke sha se jan kriminela tani i lutesh te formosh qeveri. Ropt kam pa kurva por si politikanet skam pa

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rinumërimi i Tiranës, a e rrëzoi pretendimin e Berishës për manipulim?