Kryeministri Albin Kurti, para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit është takuar me deputetin gjerman, Michael Roth. Siç bën të ditur zyra për media e Kurtit në këtë takim u diskutua rreth situatës aktuale në Kosovë dhe procesin e dialogut.
Sa i përket dialogut, Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
“Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi dhe fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë. Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u bisedua edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Kurti e falenderoi Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Kosovës. Ky ishte takimi i dytë Kurti-Roth, pas atij të mbajtur në Prishtinë më 11 shtator.
Lajmi kryesor:
Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë! Michel garant Rajonit: Zgjerimi brenda 2030, BE do e mbajë premtimin! Rama: Mbështetja ekonomike s'është realizuar
S.S/ReportTv.al