Bota

Tym i zi në oxhakun e Kapelës Sistine në Vatikan, kardinalët nuk kanë zgjedhur një Papë në votimin e parë

7 Maj, 08:17| Përditesimi: 7 Maj, 23:03

  • Share

16 ditë nga humbja e Papa Françeskut, Vatikani është gati për të nisur një epokë të re. Në Selinë e Shenjtë 133 kardinalët elektorë janë futur në konklavë për t’i dhënë botës katolike dhe jo vetëm Papën e 267 në histori. 

Pas më shumë se tre orësh nga mbyllja e dyerve të Kapelës Sistine, kardinalët kanë votuar, por nuk kanë arritur një marrëveshje për emrin e pasuesit të Papa Françeskut. Procesi do të rifillojë nesër me katër raunde votimi. 

Krahasuar me konklavën e vitit 2013, e cila nisi në të njëjtën orë si këtë vit, tymi i parë u shfaq një orë e njëzet minuta më vonë. Sipas asaj që mësohet, kjo vonesë është shkaktuar nga një sërë faktorësh, në radhë të parë, gjatësia e meditimit të mbajtur nga kardinali Raniero Cantalamessa, që zgjati 45 minuta, por edhe fakti që kardinalët janë tetëmbëdhjetë më shumë se në vitin 2013, shumica prej tyre janë të rinj në këtë proces dhe disa nuk flasin italisht. Si rrjedhojë, procedurat e votimit kanë marrë ndjeshëm më shumë kohë.

Në orën 10:00 u mbajt Mesha Pro eligendo pontifice, e cila përfundoi në orën 11:23. Në Bazilikën e Shën Pjetrit ishin të pranishëm mbi pesë mijë besimtarë, të kryesuar nga Kardinali Giovanni Battista Re, i cili tha se këto zgjedhje do të jenë ato të ruajtjes së unitetit.

“Le të lutemi që Zoti t’i dhurojë Kishës Papën që di më së miri si të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve dhe energjitë morale e shpirtërore në shoqërinë e sotme, të karakterizuar nga përparimi i madh teknologjik, por që tenton ta harrojë Zotin”, tha Kardinali Giovanni Battista Re.

Tymi i parë, i bardhë apo i zi? Për të qenë i bardhë 89 kardinalë do të duhet të kenë votuar pro një emri për Papën e ri, një konsensus i cili duket i vështirë të arrihet në votimet e para. Proceset e votimit më pas do të vazhdojnë nesër, 2 paradite e 2 pasdite, deri sa shumica prej 2/3 të gjendet.

Mediat italiane shkruajnë se Kardinali Parolin, aktualisht Sekretari i Shtetit të Vatikanit, hyn në Konklavë si favorit për të qenë pasuesi i Papa Françeskut.  Sipas La Repubblica filipinasi Tagle ka humbur terren, ndërsa shanset e Kryepeshkopit të Marsejës Aveline janë rritur. Në Kapelën Sistine, parashikimet mund të shemben, por dy javë kongregacione të përgjithshme kanë përvijuar disa tendenca që janë rezultat i llogaritjeve dhe ndjesive, sinjaleve të pagabueshme dhe trazirave më të fshehura.

Konklava do të drejtohet nga kardinali Pietro Parolin, në mungesë të dekanit, Kardinal Re, i cili është 91 vjeç. Ndërsa sa i takon parashikimeve për kohëzgjatjen parashikimet janë të vështira, ndërkohë që dy konklavat e fundit në 2005 dhe 2013 kanë zgjedhur papën e ri në ditën e dytë të tyre. Kushtetuta apostolike parashikon dy votime paradite dhe dy votime pasdite, deri sa në çatinë e Kapelës Sistinë të dalë tymi i bardhë.

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?