Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" Adriatik Lapaj, e cila mori një mandat në zgjedhjet e 11 majit, tha se pritshmëritë ishin më të larta. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun, ai tha se përtej kësaj, ata arritën që të dilnin forcë e tretë.
Sipas tij, në aspektin e partisë, kanë hedhur themele të shëndosha për rrugëtimin politik, por në aspektin e atdheut, nuk arritën që të realizojnë atë që mendonin. Për këtë, Lapaj deklaroi se ndjen përgjegjësi dhe se do të bëjë reflektimet e duhura në raport me qytetarët.
“Pritshmëritë ishin më të larta, puna që kemi bërë ka qenë për rezultat më të lartë por kjo lidhet me vullnetin e qytetarëve pasi është një angazhim që në fund fare varet nga qytetari dhe jo vetëm nga performanca jote. Nuk është sport individual. Nëse pyesim a jemi në pritshmëritë që kishim, përgjigjia është jo. Nëse i referohemi rezultateve të tranzicionit shqiptar, jemi forca e parë politike në të gjithë tranzicionit shqiptar, si forcë antisistem, ka marrë një rezultat të tillë, në numër votash janë 64 268 vota, jemi renditur nga 3 garuese, është renditur i treti në vetëm 8 muaj jetë politike. Në aspektin e lëvizjes janë hedhur themele të shëndosha për një rrugëtim të ardhshëm pozitiv, në raport me atdheun s’e kemi realizuar atë për të cilën e kemi nisur. Dhe për këtë ndjej përgjegjësinë time dhe po bëj reflektimet e duhura.”, u shpreh Lapaj.
I pyetur nëse do t’i njohin zgjedhjet, Lapaj tha se do të flasë në fund të procesit. Ai ripërsëriti një deklaratë të tij se sistemin aktual e njeh, pavarësisht se ka rezerva, dhe se ka garuar për ta ndryshuar. Lapaj tha se as fajtor nuk e bën popullin, pasi përndryshe do të largohej nga politika.
“Pyetje që duhet të bëhet më vonë se procesi është ende në vazhdimësi. Nesër hapet një nga kutitë e Vlorës, pasnesër kemi seancën për hapjen e kutive të Fierit, për të parë rinumërimin. Në këtë drejtim procesin e kemi në vazhdimësi. Unë e kam thënë edhe para zgjedhjeve se bëj pjesë te ata njerëz që e njoh sistemin si është dhe po garoj për ta ndryshuar aq sa mundem. Nuk dal dot sot dhe të them se nuk i dija këto probleme. Janë problem që kanë ekzistuar por është e padrejtë që të mos themi se kanë ndodhur në këto zgjedhje. Në fund të procesit do të shprehemi zyrtarisht, por ato që janë fakte në këtë proces, që janë tej çdo standardi për integrimin evropian, është fakt që qeveria dy ditë par zgjedhjeve fali gjobat e viteve të fundit. Me këtë standard nuk arrin dot ta mundësh një qeveri që vendos të blejë zgjedhjet përmes ligjit. Mos prit nga unë që të bëj me faj popullin se në ditën që do ta bëj këtë, largohem nga politika. Nuk ka logjikë. Ajo që duhet thënë se betejën e kam me intelektualët e Shqipërisë që në rastin më të mirë konformohen dhe në rastin më të keq shiten për t’u bërë palë me sistemin", shtoi Lapaj.
Lapaj më tej tha se kanë bërë një fushatë model, ndërsa i cilësoi mbi 64 mijë votat që morën si vota dinjiteti. Lapaj theksoi gjithashtu se është i hapur për bashkëpunim me faktorët politikë, ndërsa shtoi se vija e kuqe mbetet drejtësia, duke nënkuptuar Sali Berishën.
"Bëmë bëmë fushatë model, masive në të gjithë republikën. Ne si koalicion nuk u fokusuam në qarqet e mëdha, në Vlorë meqenëse kam origjinën nga Vlora, apo në Durrës meqë është afër. Ne kemi marrë 64 268 vota, vota dinjiteti, të pablera, të papresionuara por edhe mbi 15 mijë vota që janë shpallur të pavlefshme që bëjnë diku rreth 80 mijë vullnete. 80 mijë vullnete në një situatë politike dhe ekonomike siç është Shqipëria që ndodhi në këto zgjedhje, janë shumë. A janë mjaftueshëm për ndryshimin? Jo. Ne do të vazhdojmë për të bërë edhe më mirë këtë që kemi bërë dhe për të dhënë më shumë shpresë. Në këtë drejtim, jemi të hapur për të ftuar në bashkëpunim gjithë faktorët të cilët përfaqësojnë vlerat. Vija e kuqe është drejtësia.", tha ai.", tha Lapaj.
I pyetur nëse do ta marrë ai mandatin, Lapaj tha se për shkak të deklaratës së tij publike, do t'ia lërë në dorë kryesisë së partisë.
"Sa kemi marrë ne? 64 268 vota. Me 64 mijë, PS në Vlorë ka marrë 9 mandate ajo që ne po bëjmë është se jemi në proces, dhe do të përgjigjem për këtë ditën që radha e mandatin nga KQZ do të vijë te unë se është një proces që lidhet me kryesinë dhe strukturat tona. Unë kam bërë qëndrim publik që lidhet me faktin se në momentin që lëvizja jonë do të merrte një numër votash që përkthehet në mesataren e një mandati, do të tregonte dështim nga ana ime. Për sa kohe jemi renditur forcë e tretë, këta njerëz duhen përfaqësuar. Gjithsesi për shkak të qëndrimit tim publik, vendimi nuk do të jetë më i imi por i kryesisë. Kjo është një gjë që do të përgjigjemi në vazhdim kur të mbyllet procesi", theksoi Lapaj.
Lapaj tha se së shpejti do të nisë dhe turin e falenderimeve dhe se teksa paralajmëroi edhe një zhvillim të ri.
"Do njiheni me një zhvillim të ri, që nuk e ka pasur për standart politika jonë në raport me qytetarët."
I pyetur nëse do të bashkojë votën me PS në rast se bëhet fjalë për çështje të integrimit, ai tha: "Ne do t'i vlerësojmë rast pas rasti. Nuk jemi armiq, por kundërshtarë politike dhe për çdo gjë që lidhet me procese që e çojnë vendin përpara, nuk mund të kthehemi në një pengesë të asnjë procesi që e çon vendin përpara. Do të luftojmë fort për të drejtat e çdo kategorie".
Sa i përket përplasjeve me Agron Shehajn, ai tha se nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie. Lapaj shtoi se për muaj të tërë ka bërë thirrje për bashkim, ndërsa tha se përgjegjës duhet të bëhen ata që nuk pranuan bashkimin dhe konsideroheshin front i të resë.
Lapaj u shpreh mes të tjerash se përplasja me Shehajn i dëmtoi të gjithë.
"Ajo që duhet të bëjmë me ndjenjë përgjegjësie këdo që nuk e pranoi, është bashkimi i atyre që konsideroheshin si front i të resë se nuk do të kishte problem nëse do të kishte pasur dy fronte opozitare, por të ishin të përqendruar. Nuk do të kishte vajtur votë dëm, por do të ishim maksimizuar në mandate. Unë luftova bashkë me ekipin 8 muaj, shtrimë dorën sa herë e kam bërë, hajde ta maksimizojmë votën se formula elektorale është e tillë por mora pas baltë dhe sulm më shumë nga këta që konsideroheshin të rinj sesa vetë pushteti".
Për përplasjen me Shehajn, ai shtoi:
"Nuk na ka dëmtuar vetëm ne, por secilin në këtë gjë. Edhe ne, edhe ata. Të gjithë se bashkimi do të krijonte tjetër entuziazëm te qytetarët. Formula do të stimulonte prodhimin e mandateve në masë. Dhe mund të ishin prodhuar numër mandatesh që do të kishte çarë sistemin. Njëra parti 3 deputetë, tjetra 13 apo 15, secili në kuvend do të kishte pozicionin e vet, por është gabim për të cilin nuk ndjej peshë përgjegjësie sepse luftova fort për ta realizuar. Me zor nuk i merrja dot.", përfundoi Lapaj.
Komente
