Albana Boksi realtorja e caktuar në shqyrtimin e çështjes së rekursit të Erion Veliajt është një nga gjyqtaret më me përvojë dhe të njohura në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, me një karrierë të konsoliduar në fushën e së drejtës penale. E diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Shkodër dhe me një master në të drejtën penale, Boksi ka shërbyer në gjykata të ndryshme, duke u ngjitur deri në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe më pas në Gjykatën e Lartë, ku është emëruar në vitin 2021.
Emri i saj është përmendur shpesh për çështjen e njohur si ‘El Clasico’, një hetim i madh për korrupsion në sistemin gjyqësor që preku gjyqtarë dhe prokurorë të lartë. Në këtë çështje, Boksi ka qenë pjesë e trupës gjyqësore që kanë refuzuar pezullimin e disa gjyqtarëve të Apelit për Krime të Rënda.
Tre gjykatësit e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova, Dhurata Haveri dhe Albana Boksi hodhën poshtë kërkesën e prokurorisë pa e marrë atë në shqyrtim.
Albana Boksi, aktualisht gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, ka një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në sistemin e drejtësisë shqiptare. E lindur në Shkodër më 7 tetor 1974, ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në qytetin e lindjes në periudhën 1993-1997.
Pas diplomimit, në vitet 1998–2001, ndoqi Shkollën e Magjistraturës në Tiranë, duke u kualifikuar si magjistrate me profil gjyqtare. Fillimisht u emërua në vitin 2000 si gjyqtare në Tiranë për kryerjen e stazhit profesional, ndërsa një vit më pas u transferua në Gjykatën e Elbasanit.
Në vitin 2006, Boksi u emërua gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Tiranë. Paralelisht me detyrën gjyqësore, në vitin 2011 përfundoi me sukses studimet master shkencor në të drejtën penale pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë.
Nga viti 2011 deri në vitin 2014 ka shërbyer si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës, për t’u rikthyer më pas në sistemin gjyqësor si gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda deri në vitin 2019.
Në dhjetor të 2019 u caktua gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në mars të vitit 2021 ajo u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.
Përveç detyrës si gjyqtare, Boksi ka kontribuar gjerësisht në fushën akademike, duke ligjëruar në disa universitete publike dhe private. Ka marrë pjesë në aktivitete të shumta profesionale brenda dhe jashtë vendit, si dhe është autore dhe bashkëautore e disa botimeve dhe studimeve juridike, përfshirë "Manualin e Etikës Gjyqësore" dhe "Të drejtën për akses në gjykatë në çështjet civile". Gjithashtu, ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve për hartimin e Komentarit Elektronik të Kodit të Procedurës Penale.
Në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, të njohur si veting, Albana Boksi ka kaluar me sukses, duke u vlerësuar për integritet, pasuri të ligjshme dhe profesionalizëm. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka gjetur probleme serioze në lidhje me figurën e saj, duke i hapur rrugën vazhdimit të karrierës në Gjykatën e Lartë.
Komente
