Skena e parë. Një djalë i ri me fytyrë të mbuluar u përgjigjet pyetjeve të Al Jazeera nga një vend i fshehtë në Siri. Është viti 2014, lufta civile po digjte vendin.
I riu prezantohet me emrin e luftës al-Jolani (që do të thotë “ai që vjen nga Lartësitë e Golanit”) dhe është udhëheqësi i al-Nusras, grupit më efikas fondamentalist që lufton në Siri. Shumica e luftëtarëve, përfshirë al-Jolanin, kanë përvojë guerile kundër amerikanëve në Irak, si pjesë e Shtetit Islamik.
“Luftojmë për të vendosur sharian – ligjin islamik,” thotë al-Jolani.
“Nuk do të ketë vend këtu për të pafe si myslimanët shiitë, druzi, të krishterët dhe alavitët e presidentit Bashar al-Assad” thotë ai.
I riu me maskë bëri betim për besnikëri ndaj Al-Kaedës dhe fliste si një xhihadist.
Skena e dytë. Kalojnë dy vite dhe me një video të shkurtër në internet, al-Jolani tregon fytyrën e tij. Ka mjekër të dendur e të gjatë, por të rregulluar mirë, flokë të shkurtër nën një çallmë dhe veshje civile.
“Jemi larguar nga Al-Kaeda,” deklaron ai.
“Beteja jonë tani është vetëm për të çliruar Sirinë nga diktatori al-Assad.”
Zbulon emrin e ri të grupit: Jabhat Fateh al-Shaam. Gjyshi i tij kishte luftuar kundër francezëve, ndërsa i ati ishte një nacionalist panarab dhe mbështetës i luftës së palestinezëve kundër Izraelit. Një familje luftëtarësh, por laikë. Konvertimi i al-Jolanit në Islamin politik ndodhi rreth moshës njëzetvjeçare, bashkë me indinjatën për shtypjen e Izraelit në Palestinë.
Skena e tretë. Në vitin 2021, në televizionin amerikan PBS, al-Jolani i përgjigjet një gazetari amerikan, shteti I të cilit (SHBA) kishte vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij. Al-Jolani ka të njëjtën mjekër, por flokët e tij tani kanë një prekje të lehtë xheli.
“Kush e përcakton se kush është terrorist?” argumenton ai.
“Shtetet. Por a nuk është pjesërisht përgjegjës shteti amerikan për shtyrjen e mijëra njerëzve drejt ISIS-it? Dhe a nuk e favorizon Evropa përndjekjen sioniste ndaj palestinezëve, duke i shtyrë njerëzit drejt terrorizmit?” Ai shton: “Është e vërtetë, shumë të pafajshëm janë vrarë dhe kjo është e gabuar, por kush tjetër është fajtor?” “Një qeveri e vërtetë islame nuk mund të jetë e frikshme, përndryshe si do të mbijetonin të krishterët në Lindjen e Mesme nën kalifat për 1,400 vjet?” Xhihadisti ka ndryshuar ton, nuk synon më islamizimin e botës, por bashkon nacionalizmin e të atit me rregullin fetar.
Skena e katërt. Të enjten e kaluar (5 dhjetor) udhëheqësi i rebelëve që po avancojnë drejt Damaskut ka ende mjekër të dendur, xhel në flokë, por tani ka dhe bark. Ai jep intervistë për një gazetare të CNN-it.
Nuk paraqitet si një udhëheqës ushtarak, por më shumë si një politikan. Ai dëshiron të bashkojë vendin dhe të krijojë “institucione komunitare, jo qeverisjen e një individi.”
Siguron pakicat dhe fuqitë e huaja: “Në moshën 20 vjeçare mendon ndryshe, 40 vjeç ndryshon, kjo është njerëzore.” Megjithëse beteja është afër dhe pavarësisht shpërblimit amerikan për kokën e tij, ai është i qetë.
“Diktatura gjakatare e al-Assad ka vdekur,” thotë ai. “Irani dhe Rusia kanë tentuar ta ringjallin, por së shpejti nuk do të ketë më vend as për amerikanët dhe turqit në Siri.” Al-Jolani duket se është gati të imponojë një eksperiment të ri të qeverisjes islame.
Por në Afganistan, Iran dhe në Shtetin Islamik është kthyer diktatura. Nëse Damasku bie, Siria mund të shndërrohet në një laborator të radhës. Autori i këtij ndryshimi ka lindur laik, është bërë islamist, ka kuptuar teprimet e tij dhe, me fjalë, i mohon. Zakonisht gjërat shkojnë keq për dy arsye: ndërhyrje të jashtme (dhe në këtë rajon ka plot vende gati për të ndërhyrë) ose delire madhështie të liderit. Të gjitha premisat janë që kjo të ndodhë përsëri. /Corriere della Sera/
Jemi bere miq me Al Qaeden, normalmente Amerika e krijoi, pse mos te jemi aleat
Përgjigju