Flojera Davidhi

Afera Partizani/ Kush është Flojera Davidhi, gjykatësja që do të vendosë për gjykimin e ish-kryeministrit Berisha dhe dhëndrit Malltezi

16 Tetor, 20:54| Përditesimi: 16 Tetor, 21:53

  • Share

Flojera Davidhi është zgjedhur me short për të gjykuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha për dosjen "Partizani". Brenda një afati 10 ditor gjyqtarja e GJKKO, që ka tashmë në dorë dosjen me 333 fashikuj të aferës Partizani, do duhet të vendosë nëse dosja kalon ose jo për gjykim.

SPAK kërkon gjykimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për korrupsion pasiv, dhëndrit Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash, dhe biznesmenëve Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe financieres Andia Pustina, të 3 të akuzuar po ashtu për pastrim parash.

Kush është gjyqtarja Davidhi që ka në dorë dosjen Partizani? 

Davidhi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës.

Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në majin e vitit 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Korçës Flojera Davidhi.

Nuk u evidentuan probleme as për pasurinë dhe as për figurën e gjyqtares në fjalë.

Lidhur me pasurinë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në pjesët takuese të gjyqtares Flojera Davidhi në dy sipërfaqe toke bujqësore të përfituara nga familja e oirigjinës në vitin 1993 në bazë të “Ligjit për tokën” në fshatin Goricaj të Lushnjës.

Po ashtu, kanë rezultuar pa probleme edhe rezultatet e hetimit administrativ për pjesët takuese në shtëpinë e ndërtuar nga prindërit në vitin 1986 dhe të një njësie shërbimi në vitin 2001, në proces legalizimi, që janë përfituar nëpërmjet trashëgimisë nga babai i ndjerë.

KPK tha se subjektit të rivlerësimit nuk i është kaluar barra e provës për këto pasuri dhe për dy prona të prindërve të bashkëshortit, të cilat ishin krijuar përpara lidhjes së martesës dhe emërimit të Davidhit si gjyqtare

Lidhur me figurën si gjyqtare, u debatua vetëm mbi një vendim pafajësie të dhënë nga Davidhi për një zyrtare lokale të akuzuar se kishte marrë 20 mijë lekë (200 mijë të vjetra) ryshfet. Rasti u zbulua nga kamerat e fshehta të një emisioni investigativ. Davidhi e shpalli zyrtaren e Hipotekës, të pafajshme.

Gjykimi bëri bujë në media dhe u cilësua si vendim i rrallë, pasi vetë e pandehura kërkoi të dënohej, por gjyqtarja vendosi për jo. Kur u pyet nga komisionerët e Vetingut, pse veproi kështu, Davidhi u përgjigj:

“Gjykata duhet të bazohet në atë që provohet në procesin gjyqësor, pra bazuar në prova. E kuptoj që ka një konfondim, pse vetë e pandehura ka kërkuar dënim. Ajo kishte kryer veprime jo konform detyrës, por jo konform veprës penale për të cilën akuzohej. Nuk do të kishte qenë ligjore të dënohej dikush, pse e pranonte akuzën, pavarësisht se nuk ka kryer elementë të veprës penale”.

Gjyqtarja Flojera Davidhi deklaroi se i qëndronte vendimit të dhënë prej saj. “Ka shkelje etike, por duhet të provohet jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm vepra penale. Sipas bindjes time, prokuroria nuk e provoi dot. Kam dhënë drejtësi,” përfundoi Davidhi.

Ajo theksoi se nuk do të kishte qenë ligjore të dënohej dikush, pse e pranonte akuzën, pavarësisht se nuk ka kryer elementë të veprës penale.

Vendimi i saj më pas, është gjetur i drejtë edhe nga Apeli.

Në hetimin e Vetingut u konstatua se ajo ka aftësi të mira profesionale, organizative, se ka etikë në punë dhe aftësi personale.

Në tetor 2022, Keshilli i Lartë Gjyqësor e emëroi gjyqtaren Fjorela Davidhi si pjesë të trupës së Gjykatës së Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit.

S.B//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emini: 16/10/2024 22:52

    Kjo është punë burrash e jo grash...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?