Kur bota mësoi për vdekjen e Papa Françeskut mëngjesin e djeshëm (21 prill) një kardinal irlandez-amerikan, pak i njohur në botën e gjerë, ishte ai që dha lajmin.
Pasi njoftoi se Papa ishte "kthyer në shtëpinë e Atit", kardinali Kevin Farrell mori një nga rolet e tij më të mëdha deri më tani: "camerlengo", ose personi që drejton Vatikanin pas vdekjes ose dorëheqjes së një Pape.
Papa Françesku emëroi kardinalin për këtë rol në vitin 2019. Kardinali do të qëndrojë në këtë pozicion gjatë "Apostolica Sedes Vacans", periudhës midis vdekjes ose dorëheqjes së një pape deri në zgjedhjen e Papës së ardhshme.
I lindur në vitin 1947 në Dublin, Farrell ndoqi Universitetin e Salamankës në Spanjë dhe Universitetin Papnor Gregorian në Romë, sipas Vatikanit.
Ai mbajti role në kisha në mbarë botën, duke shërbyer si kapelan në Universitetin e Monterrey-t në Meksikë, si dhe në një famulli në Bethesda, Maryland.
Gjithsesi, 77-vjeçari kaloi më shumë se 30 vjet duke punuar për kishat në SHBA.
Farrell u emërua peshkop i Dallasit në vitin 2007 derisa Papa Françesku i kërkoi atij në vitin 2016 që të shërbente si udhëheqës i departamentit të ri të Vatikanit, përgjegjës për kujdesin baritor të familjeve, duke e ngritur atë në gradën e kardinalit.
Vite pasi e quajti atë si camerlengo, në vitin 2023, Françesku zgjodhi Farrell-in si president të Gjykatës së Lartë të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Ai u emërua edhe kryetar i Komisionit për Çështje Konfidenciale, shkroi BBC.
Një camerlengo mund të bëhet Papë, siç ka ndodhur dy herë në histori: Gioacchino Pecci (Papa Leo XIII) në 1878 dhe Eugenio Pacelli (Papa Piu XII) në 1939.
Komente
