Kryeministri i ri i Serbisë

Kosova & Rajoni

Kush është kryeministri i ri i Serbisë, Gjuro Macut ?

17 Prill, 21:32| Përditesimi: 17 Prill, 21:40

  • Share

Gjuro Macut u bë emri më i kërkuar në Serbi më 6 prill, pasi presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq, e nominoi atë për kryeministër të vendit.

“Besoj se ai do ta sjellë një diskurs ndryshe në jetën tonë politike dhe do të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve. Mendoj gjithashtu se ai do të bëjë shumë gjëra të mira dhe të rëndësishme për vendin tonë”, tha Vuçiq.

Tensionet të cilave iu referua Vuçiçi nxitën dorëheqjen e kryeministrit të deritanishëm, Millosh Vuçeviq, në janar, pas tre muajve protestash të udhëhequra nga studentët në gjithë Serbinë.

Protestuesit kanë kërkuar llogaridhënie, duke e akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe për mbikëqyrje të dobët të rindërtimit të stacionit të trenit, pasi 16 njerëz humbën jetën kur një strehë prej betoni u shemb në Novi Sad në nëntor.

Kush është Gjuro Macut?

Në fjalimin e tij të parë para parlamentit më 15 prill, Macut tha se protestat e udhëhequra nga të rinjtë janë shprehje natyrale e pakënaqësisë, por kritikoi taktikat, si bllokimi i rrugëve dhe shkollave.

"Kur ua mohoni të tjerëve të drejtën për arsim dhe lëvizje, bëheni uzurpator i lirive të të tjerëve", tha ai, duke premtuar mbështetje për përfshirjen e të rinjve, por vetëm brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues.

Ai u zotua se do t’i rihapë universitetet, duke thënë se Serbia është "e lodhur nga bllokadat dhe përçarjet".

Macut premtoi gjithashtu do ta ruajë qëndrimin e tanishëm të politikës së jashtme të Serbisë dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme për serbët etnikë në Kosovë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, të cilën Serbia ende nuk e pranon, ka pasur tensionet të vazhdueshme mes dy vendeve.

Këto tensione lidhen kryesisht me serbët etnikë në veriun e Kosovës, të cilët nuk e njohin autoritetin e Prishtinës dhe kanë tentuar t’i ruajnë struktura paralele të qeverisjes me mbështetjen e Beogradit.

Bashkimi Evropian e udhëheq dialogun mes dy vendeve që nga viti 2011, me synimin për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Anëtarë të tjerë të kabinetit

Në mesin e 30 anëtarëve të kabinetit, 10 janë fytyra të reja.

Ministri i ri i Arsimit, Dejan Vuk Stevanoviq, është i vetmi profesor në Fakultetin e Edukimit që e ka kundërshtuar publikisht bllokadën e udhëhequr nga studentët që nga fillimi.

Ai është mysafir i shpeshtë në mediat proqeveritare dhe ka kritikuar si profesorët, ashtu edhe studentët që kërkojnë llogaridhënie për tragjedinë në Novi Sad.

Ministri i ri i Informacionit, Boris Bratina, është i njohur gjerësisht për retorikën e tij antievropiane dhe për avokimin e ndalimit të Paradës së Krenarisë.

Ai është xhiruar duke bërtitur "Serbia dhe Rusia - nuk na duhet Bashkimi Evropian!" në një tubim në Beograd në vitin 2009, ku gjithashtu dogji flamurin e BE-së.

Zyrtarisht, Serbia thotë se synim i saj strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, i cili është investitori më i madh në vend.

"Nuk kam pikëpamje plotësisht pozitive për BE-në, dhe ndoshta këtu dalloj nga të tjerët. Nuk do të nxisja entuziazëm të tepruar për BE-në, pasi ajo ka mjaft probleme", tha Bratina për Shërbimin ballkanik të Radios Evropa e Lirë (REL), më 14 prill.

Hapja e kapitujve të rinj në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE është bllokuar që nga dhjetori i vitit 2021.

Bratina e ka quajtur Paradën e Krenarisë "kortezh të sëmurësh" dhe ka thënë se ngjarje të tilla nuk i përkasin kulturës që ai e përshkruan si "thellësisht heteroseksuale" në Serbi.

Organizatorët e Paradës së Beogradit kishin kërkuar tërheqjen e kandidaturës së tij.

Ashtu si shefi i tij, Bratina është anëtar i Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin.

Çfarë mund të pritet nga Qeveria e re e Serbisë?

Anëtarët e opozitës dhe analistët nuk presin ndryshime të mëdha në politikën e brendshme, apo në pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, pasi vendi vazhdon të mos pranojë t’i bashkohet Perëndimit në sanksionimin e Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe ruan lidhjet historike e kulturore me Moskën.

Serbia ka gjasa të mbetet partneri i preferuar i Kinës në Ballkan dhe të vazhdojë "miqësinë e hekurt," siç i përshkruan Vuçiq, marrëdhëniet me Pekinin.

"Fakti që kryeministri i ri është anëtar i lëvizjes së sapoformuar të Vuçiqit tregon qartë se ai nuk është një kandidat politikisht i pavarur", thotë Zoran Stojiljkoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

"Ai do të jetë një lloj drejtuesi ‘kukull', pasi i mungon përvoja e konsiderueshme politike dhe nuk garanton autonomi nga presidenti i Serbisë", shton ai.

Më 6 prill, kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e quajti kryeministrin Macut "të guximshëm, të qetë dhe të qëndrueshëm – gjithçka që Qeverisë serbe i duhet tani".

Kryeministri në largim, Millosh Vuçeviq, shtoi se Macut është njeri "që mund të hapë dialog shoqëror".

Por, disa liderë të opozitës e kanë cilësuar emërimin e tij si simbolik.

Dragan Gjilas nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë tha se Vuçiq "po fiton kohë" duke emëruar dikë që "nuk do të zgjedhë ministra, nuk do të formësojë politikë dhe nuk do të marrë vendime".

Partia serbe Qendra shtoi se "nuk ka rëndësi kush e udhëheq Qeverinë kur është e qartë që Vuçiqi është në krye"./REL

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?