Millan Radoiçiçi ka tjetër nam në Prishtinë, e tjetër në Beograd. Autoritetet e Kosovës e përmendin si person në arrati, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të akuzuar disa herë si kriminel. Në Serbi ai është konsideruar “mbrojtës” i serbëve të Kosovës, madje edhe nga presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiç. Millan Radioiçiç është nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video, ku pretendon se një burrë i veshur me uniformë dhe armë në duar, sikurse një grup burrash tjerë, është Radoiçiçi, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë. Si pasojë e sulmeve është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Si është bërë i njohur emri i tij?
Radoiçiçi, 45-vjeçar, ka lindur në Gjakovë, qytet në jugperëndim të Kosovës. Për organet e drejtësisë në Serbi, emri i tij është i njohur prej vitit 2011. Në atë kohë, kundër tij dhe Zvonko Vesellinoviqit është ngritur aktakuzë në Beograd për përvetësimin e 32 kamionëve të firmës “Hipo Alpe Adria Lizing”.
Në atë periudhë ka nisur dialogu Kosovë - Serbi dhe të dy janë liruar nga akuzat në vitin 2016. Radoiçiçi besohet se vazhdon punën në Serbi. Ai është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore, INKOP nga Quprija - bashkë me vëllezërit Vesellinoviç - në të cilën ka 40 për qind të pronësisë. INKOP-i ka blerë edhe kompanitë ndërtimore Novi Pazar - put dhe Betonjerka Aleksinac. INKOP-i zotëron, po ashtu, kompaninë hoteliere DollyBell, e cila ka hotelin Grey në Kopaonik.
Veprimtaria e tij në Kosovë
Më 2017 ka qenë kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, që e ka përmendur emrin e Radoiçiçit si njeri të fuqishëm në komunat në veri të banuara me shumicë serbe. Haradinaj ka thënë se "[ai është] dikush nga veriu, i cili pyetet për gjithçka dhe unë bisedoj me të”. Radioiçiçi është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, më 2018. Emri i tij lidhet edhe me këtë vrasje, por epilog për këtë rast nuk ka ende.
Vetë ai e ka përshkruar akuzën e autoriteteve të Kosovës ndaj tij si tentim të Prishtinës për ta hequr qafe.
“... sepse e di se unë, së bashku me miqtë e mi dhe vëllezërit e mi, jemi ndër të paktët që mund t’i kundërshtojmë në synimin e tyre për të nëpërkëmbur dhe përvetësuar veriun e Kosovës dhe Metohisë dhe për të nënshtruar popullin serb”, ka thënë Radoiçiçi në atë kohë.
Urdhri për arrestimin e Radoiçiçit është tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021 – mirëpo më vonë është kthyer prapë.
Rasti “Brezovica”
Katër vjet pas vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2022, Radoiçiçi është shpallur sërish në kërkim nga autoritetet e Kosovës, nën dyshimet se ka ndikuar në frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si “Brezovica”. Më shumë se 100 persona janë hetuar e dhjetëra të tjerë janë akuzuar për këtë rast që ka të bëjë me ndërtime pa leje, degradim të ambientit dhe marrje të ryshfetit. Një muaj më vonë, në shkurt, Radoiçiçi i ka ikur Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak dhe ka hyrë nga Serbia në Kosovë.
Disa zyrtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar atëbotë për mosreagim adekuat. Në korrik të atij viti, ai është futur sërish në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës, dhe përmes një video-mesazhi, ka thënë se serbët e dinë se çfarë do të thotë për ta kthimi i tij në Kosovë. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka përsëritur disa herë, prej korrikut të vitit 2021, se Radoiçiçi është në krye të kontrabandistëve që e sulmojnë Policinë e Kosovës.
Takimet me autoritetet e Kosovës
Emri i tij ka çuar në dhunë mes deputetësh në Kuvendin e Kosovës në korrik të këtij viti. Në njërën prej seancave parlamentare, kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari - Lila, është kritikuar ashpër për një audio-inicizim, në të cilin ajo e ka pranuar se ka biseduar me Radoiçiçin. Por, kjo nuk ka qenë hera e parë që zyrtarë të Kosovës kanë biseduar dhe e kanë takuar atë.
Më 2017, Radoiçiçi besohet se është takuar edhe me Behxhet Pacollin, kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR). Mediat në Kosovë dhe Serbi e patën publikuar një fotografi ku Pacolli shihej në shoqërim të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe të Radoiçiçit. Takimi kishte ndodhur në një jaht luksoz në Mal të Zi.
Më 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e ka pritur atë në zyrën e kryeministrit. Haradinaj ka deklaruar se nuk ka qenë në kontakt me Radoiçiçin nga koha kur ai është arratisur nga autoritetet gjyqësore të Kosovës, por e ka pranuar se në një rast e ka vizituar bashkë me të presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në zyrën e tij.
Edhe vetë Radoiçiçi ka folur për kontaktet e tij me zyrtarët kosovarë. Në mars të vitit 2019, ai i ka thënë Televizionit Klan Kosova, në Prishtinë, se është takuar me Thaçin dhe Haradinajn.
“Jam takuar me të dy dhe jam takuar edhe me të tjerë. Ata u kanë premtuar serbëve kulla dhe qytete, që ata të jenë në anën e tyre dhe jo në anën tjetër. Por, ne nuk mund t’i shkelim interesat jetike serbe”, ka thënë Radoiçiç.
Takimet me Vuçiçin e zyrtarë të tjerë serbë
Më 2 shkurt të këtij viti, Radoiçiçi ka marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë. I ftuar aty ka qenë edhe presidenti serb, Vuçiç.
Ndonëse në fotografinë më lart Vuçiqi nuk shihet, në fotografinë më poshtë, ai shihet duke i shtrënguar duart me Radoiçiçin.
Nën sanksione të SHBA-së dhe Britanisë
Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar Radoiçiçin, bashkë me Zvonko Vesellinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta. Në sqarim është thënë se Radoiçiçi ka qenë zëvendës i Zvonko Vesellinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Vesellinoviq është tërhequr për pak kohë. Po ashtu, është thënë se Radoiçiçi ka qenë përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Vesellinoviqit. Radoiçiçi nuk është deklaruar për këto akuza.
Sipas autoriteteve amerikane, grupi kriminal i Vesellinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbë, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një vit më vonë, më 2022, Radoiçiçi është sanksionuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të skemës së saj për luftim të korrupsionit në nivel global./REL