Dorëheqja e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku (përflitet edhe për arsye shëndetësore), ka sjell në krye të kupolës si i komanduar përkohësisht dhe për efekt “piramide”, zëvendësin e tij, drejtuesin e parë Sokol Bizhga.
Por pavarësisht se do jetë i komanduar, automatikisht me ligjin e ri të gradave dhe garimit, oficeri i krimeve me karrierën pothuajse më të gjatë në radhët blu, është edhe më i favorizuari për ta pasuar Rrumbullakun në postin e lartë, nëse do të garojë, përjashtuar ndonjë tërheqjeje apo parregullsie që mund të gjendet gjatë fazave.
Edhe pse konkurrimi është i barabartë për të gjithë oficerët e karrierës që plotësojnë kushtet, kryesisht ata me grada madhore, eksperienca dhe “spaletat” do luajnë rol të rëndësishëm. Përveç dokumentacionit zhvillohet edhe verifikimi, teksa Bizhga ka favor edhe kalimin me sukses të Vettingut nga Komisioni i Vlerësimit katër vite më parë. Gëzon gradën Drejtues i Parë, ka gati tre dekada në Polici, ka mbajtur poste të rëndësishme në karrierë në të gjitha shkallët dhe nuk ka pasur problematika në dosjen e tij, si ato të pasurisë, shkeljeve apo lidhjeve me krimin.
Sokol Bizhga vjen nga një karrierë e gjatë, fillimisht si oficer krimesh para trazirave të vitit 1996 në zonën Vlorë-Sarandë, ku u tentua të vritej në aksion, (teksa u rrëmbye, ekzekutua dhe dogj më 4 Mars 1997 gjatë një operacioni policor edhe oficeri Gjergj Mehmeti), iu kërcënua edhe jeta në detyrë. Kurse më pas si shef i krimeve në Tiranë për disa vite.
Mbajti detyra kryesisht në lidhje me Forcat Speciale, në drejtim të tyre për disa vite, teksa edhe si kryepolic i Shkodrës. Karriera e tij do kulmonte pas vitit 2013 si drejtor i Policisë së Gjirokastrës, i pari që vëzhgoi nga terreni situatën në Lazarat, para nisjes së operacionit të madh, gjë që irritoi banorët. U zhvendos në qendër në vitin 2014 si zëvendës i Artan Didit për disa muaj, për të kaluar në vjeshtën e vitit 2014 (14 Shtator) si Drejtor i Studimeve Strategjike.
Pas vitit 2017 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Forcave Operacionale, për të paktën 5 vite, derisa kryepolici i dorëhequr Rrumbullaku e emëroi më 16 dhjetor 2023 në detyrën e lartë të Zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që e mban edhe aktualisht, me gradën Drejtues i parë.
Më 22 Maj 2020 Bizhga kaloi Vettingun dhe ka justifikuar pasurinë se ka punuar në Itali në ndërtim, ku ka kursyer pjesën më të madhe të parave. Në skedën e pasurisë, Bizhga zotëron një apartament 1+1, 64 m2, një apartament 94 m2 në Durrës në emër të bashkëshortes në 2006, dyqan 52 m2 në Durrës, banesë dhe tokë në Gjirokastër në emër të djalit të tij dhe dy depozita bankare.
Në lidhje me vlerësimin dhe pastërtinë e figurës, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit është shprehur se Sokol Bizhga nuk ka të dhënë për veprimtari kriminale nuk ka kontakte me botën e krimit dhe nuk ka denoncime në emër të tij. Pozitive janë shënuar edhe arritjet e tij profesionale.
Lajmi kryesor:
‘Furtunë’ në Policinë e Shtetit, ikën Rrumbullaku dhe drejtuesit e 12 qarqeve! Ministri: Garë me meritokraci! Komandohet në krye të bluve Bizhga
A.Q//ReportTv.al