Partia Demokratike është kthyer në një arenë konflikti, ku të gjithë janë kundër të gjithëve, dhe ku nuk flitet në asnjë moment se si duhet të riorganizohen për të ringritur partinë, por vetëm se si t’ia ‘fusin’ njëri tjetrit.
Në parim, partia është një bashkim vullnetar njerëzish që kanë një qëllim të përbashkët, prodhimin e një alternative, paraqitjen e saj tek njerëzit dhe në varësi të përthithjes së ideve që janë paraqitur, të jenë dhe një alternativë pushteti.
Në PD po ndodh e kundërta. Lidershipi i kësaj partie, jo vetëm që ka ngecur në morinë e teknicialiteteve dhe interpretimin e statuteve të saj, janë ekspertë për punë zyrë këta të PD zyrtare sidomos duke e lënë terrenin dhe aty ku kërkohet vota, një fushë të hapur për të tjerët, por këtu po shpiken dhe gjërat më të pabesueshme që mund të kenë ndodhur ndonjëherë në botë.
Rasti më i fundit i mbledhjes së Këshillit Kombëtar online nga ana e Sekretarit të deritanishëm të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi, dhe marrja e disa vendimeve të rëndësishme që kërkojnë jo vetëm verifikim pjesëmarrjeje për kuorumin por dhe për të parë sy më sy kundërshtarin brenda partisë, përbën dhe ‘majën’ e tërë absurditetit në një parti politike.
Kur Bardhi para disa ditësh njoftoi se do zhvillojë online mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, qëllimi i vetëm i të cilit ishte pengimi i Lulzim Bashës që të zgjidhet sipas parimit ‘një anëtar një votë’ kryetar i kësaj partie pas një viti e ca pa lider të saj, besoj se shumëkush e ka marrë si shaka ose si një deklaratë të dalë në kushtet e motit të nxehtë, më përvëluesi i dekadave të fundit.
Por kur të enjten pasdite startoi kjo mbledhja e Këshillit Kombëtar ‘online’ në Zoom, të gjithë ishim kuriozë për të parë vërtetë një mbledhje të hapur sikurse ishte paralajmëruar, për të parë si do të funksiononte pasi bëhej për herë të parë, për të dëgjuar diskutimet, debatet, propozimet, si do të votohej, me ngritje dore, me deklarim me zë, apo kishte ndonjë mekanizëm tjetër që të tregonte nëse u votua pro ose kundër propozimeve të Bardhit, për çudi u prezantuam me një mbledhje ‘online’ me ‘dyer të mbyllura’. Të paktën të shihnin seancën e hapjes, verifikimin e pjesëmarrjes dhe fjalimin hapës.
Për gati dy orë sa vazhdoi kjo mbledhje, Zoom e ka kthyer me lekë tashmë pjësëmarjen, vetëm 45 minuta të jep falas, askush nuk pa asgjë në lidhje direkte, as në adresën online të Bardhit dhe as të PD, sikurse ndodh rëndom sa herë që liderët politikë bëjnë deklarata, mbajnë fjalime apo gjëra të tjera të këtij lloji, të cilat i ndjek në adresën zyrtare të liderit respektiv, sigurisht online. As mediat nuk patën madje pamje as për një foto, sa për të shoqëruar lajmin të paktën.
Asgjë nuk pamë nga këto. Megjithëse u morën vendime shumë të rëndësishme, për fatin e keq të opozitës shqiptare por dhe të shqiptarëve, që anonin dukshëm nga përpjekja për të shuar Partinë Demokratike në mënyrë përfundimtare.
Këshilli Kombëtar i Bardhit, jo vetëm që nuk paraqiti online pjesëmarrjen, megjithëse lajmëroi sipas ‘burimeve’ se kanë qënë mbi 245 pjesëmarrës, pra më shumë se gjysma e këtij forumi, por vendosi dhe anulimin e vendimit të kryesisë së PD për të zhvilluar procesin e zgjedhjes së kryetarit më 29 korrik, pezulloi kryesinë e PD, mori hapa për çrregjistrimin e Bashës nga të gjitha listat si kryetar i kësaj partie dhe vendime të tjera të këtij lloji.
Teksa vijojmë të bëjnë një analizë teknike, pa hyrë në frymën politike që përcjell mbledhja e Këshillit Kombëtar e thirrur nga Gazment Bardhi, pyetja që lind vetëvetiu është se: cilat kushte e diktuan mbledhjen e forumit më të lartë drejtues në periudhën mes dy Kuvendeve kombëtare të PD që të zhvillohet në kushte emergjence, pra online?
Këto lloj mbledhjesh, kryesisht informuese e jo vendimmarrëse janë zhvilluar me një pjesëmarrje shumë e shumë më të vogël mes kryeministrit e kabinetit të tij qeveritar, mes krerëve të shteteve, mes zyrtarëve të lartë shtetërorë në periudhën e pandemisë së koronaviruesit, kur lëvizja ishte e pamundur për shkak të infeksioneve që mund të merrnin, dhe që ishin të barabarta me vdekjen.
Por dhe në këto raste që i përkasin periudhës së pandemisë, mbledhjet e qeverisë në Shqipëri, mbledhjet e komitetit të emergjencës, të krerëve të shteteve në botë për masat ndaj pandemisë u bënë vërtetë online, në Zoom, por ama shiheshin në ekran nga shqiptarët dhe gjithë bota, dilte foto dhe zëri i tyre në ekran, në kushtet e një transparence të plotë, gjë që nuk ndodhi në rastin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD të thirrur nga Bardhi.
Lind pyetja, mos kemi ndonjë pandemi, dhe lidershipi qeveritar dhe ai politik nuk kanë lajmëruar popullatën deri më tani, që ka detyruar Bardhin të ndërmarrë një hap të tillë të zhvillimit të një mbledhjeje forumi partie online? Për më tepër që mbledhja u zhvillua në kushtet e ilegalitetit.
Rasti i mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD ‘online’, ishte një mbledhje që mori vendime të rëndësishme sipas saj, është si të zhvillohet ndeshja Barcelona-Real Madrid online, për të dhënë rezultatin që dha. Dimë që kampionatet u ndërprenë, madje u shty dhe kampionati evropian i futbollit në rastin e pandemisë.
Duke qënë se mbledhja e Këshillit Kombëtar të Bardhit zhvillohej në kushtet kur në PD ka humbur besimi ndaj njëri tjetrit, pasi të gjithë ia ‘fusin’ njëri tjetrit, atëherë si e verteton Bardhi që pjesëmarrja ka qënë me shumë se gjysma e forumit, për të marrë vendime. Për t’u përdorur si provë në rastin e ndonjë goditjeje në gjykatë apo në Apelin e PD, sikurse duken bathët se do vijojnë.
Me sa duket asnjë gjykatë nuk e merr përsipër një rast të tillë, madje dhe vetë Bardhi është i bindur se askush në PD nuk do pyesë për vendimet e marra nga ana e një grushti njerëzish, që dhe mund të kenë pasur online që nga ish badigardi i Berishës, e deri tek zyrtarë dhe militantë të “Rithemelimit” apo të Partisë së Lirisë. Sikurse e pranoi në heshtje dhe Berisha.
Eshtë e drejtë e kujtdo që të akuzojë për një fakt të tillë, pasi realizuesit e mbledhjes online të Këshillit Kombëtar të PD nuk janë në gjendje as teknikisht dhe as politikisht të paraqesin prova për të kundërtën, për t’u mbushur mendjen demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë se mbledhja ka qënë e rregullt, me pjesëmarrje të plotë dhe jo një bashkim prej 12-13 vetësh me në krye Bardhin, të cilët kanë marrë vendime tronditëse për PD, nëse ndokush do t’i merrte seriozisht.
Por ajo që shohim politikisht është se tashmë në PD zyrtare po konturohet një grupim i ri politik, me në krye Gazment Bardhin, i cili do të përbëjë fillesat e të parës parti digjiitale në Shqipëri. Madje ka dhe me një keqkuptim të madh, pasi në asnjë statut partie në botë grupi parlamentar nuk luan rol vendimmarrës, për strukturat partiake, sepse janë produkt i tyre dhe veprojnë në linjë partie vetëm brenda strukturave respektive sipas organizatave. Pra nuk imponohen me vendime, por si të rinj dhe të paditur që janë dalin dhe deklarojnë ‘thagma’ në media se morëm këtë vendim, apo atë vendim.
Meqë u mungojnë këllqet për të dalë në terren dhe për të takuar njerëzit, demokratët dhe marrë vota, e treguan për një vit e gjysmë që nuk bëjnë derman në këtë drejtim por mbetën zyrave dhe studiove televizive duke interpretuar statutin në të gjitha rasat dhe duke lëshuar teza politike, me sa duket Bardhi po formaton një parti politike digjitale. Pra për të bërë jetë partie, për të bërë fushatë dhe për të anançuar teza politike vetëm online. Eshtë punë pa mund në fakt.
Nuk është zgjidhje e keqe për ata politikanë që nuk kanë ‘gjunjë’ për të bërë jetë partie në terren. E kanë provuar dhe një grupim OJF-sh në vendet nordike para disa vitesh, që u kthyen në partinë e internetit dhe si frymë e parë mori ca vota, por pastaj u shua. Ndoshta Bardhi ia del.
Por ajo që na bën të mendojmë seriozisht në tërë këtë ndërmarrje të vështirë të Bardhit dhe të njerëzve që i shkojnë pas, sadopak të jenë, është se çfarë e detyroi Sekretarin e Përgjithshëm të PD zyrtare që të vihet në këtë pozicion aspak komod, dhe që ndoshta pa dashjen e tij kontribuon fort në shuarjen e PD e përgatitjen e terrenit që Berisha të mbetet opozitari i vetëm në këtë vend?
Për ta bërë më të thjeshtë pyetjen: Kush ia ‘zuri kokën me derë’ Bardhit që u katandis në këtë situatë, sa në kushtet e mungesës totale të mbështetjes në PD, për të parandaluar rizgjedhjen e Lulzim Bashës kryetar partie, të arrijë deri aty sa të bëjë të pabërën dhe të pamundshmen deri më tani, mbledhjen online dhe në ilegalitet të plotë të e forumit më të lartë të PD?!
Eshtë një pyetje që ‘endet’ në mendjen e çdo demokrati, e çdo shqiptari, pasi kemi dëgjuar çudira nga partitë tona politike, por të këtij lloji ende jo. E themi me bindje se është çudia më e madhe e tërë këtyre viteve jo vetëm në PD po në tërë spektrin politik shqiptar. Që nga viti 1990 e këtej.
Që Gazment Bardhi e ka një hall, kjo duket hapur fare. Sepse tërë lufta e tij po bëhet për të mbajtur PD-në zyrtare pa kryetar në pafundësi, sepse as vetë nuk po vë kandidaturë, që të themi se po lufton që të marrë vetë postin e liderit në parti. E ka mohuar këtë fakt. Ndoshta ka qëllimin për ta dërguar PD zyrtare me gjithë vulë tek Berisha. Pavarësisht se me deklarata është kundër tij, por të gjitha lëvizjet në këtë pikë të çojnë, me dashjen ose jo të Bardhit.
Teksa kalojmë në mendje se cili është halli i Bardhit që e katandisi në këtë situatë, na vjen në kujtesë kalimi i Ervin Salianjit nga PD zyrtare tek “Rithemelimi” i Berishës. Pa shkop në dorë kësaj radhe, përkundër asaj që pamë më 8 janar 2022 teksa mbronte me shkop në dorë para dyerve të blinduara, selinë e PD nga intervenimi i Berishës dhe mbështetësve të tij, për ta marrë selinë me forcë. Një tentativë e dështuar asokohe.
E sollëm si shembull Salianjin, sepse nga momenti kur kaloi nga PD zyrtare tek “Rithemelimi” i Berishës, dosja në ngarkim të tij për të famshmen “Babale” ka “ngrirë” në gjykatë. Askush nuk e zë me dorë, dhe po futet në librin e rekordeve si vendimi më i gjatë dhe më i ‘menduar’ deri më tani i marrë nga gjykatat shqiptare. Po bëhen gati dy vite që pretenca ka dhënë burg për Salianjin, dhe me kalimin tek “Rithemelimi” gjithçka ka ‘ngrirë’ si me komandë.
Të gjithë e dinë se drejtësia jonë ‘sygjestionohet’ nga Berisha, aq sa jo vetëm atë vetë që nuk e thërrasin për ta pyetur për dosjet e shumta që ka në ngarkim dhe për të cilat duhet të japë llogari, por nuk preken as njerëzit e lidhur me të. Si në rastin e fundëm të deputetit Salianji.
Mos vallë dhe Bardhi ka ndonjë hall apo ndonjë detyrim ndaj Berishës, në raport me drejtësinë?
E themi këtë, sepse në Elbasan në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u vra Pjerin Xhuvani nga Arbër Papleka ‘komandoja’ i PD i thirrur në grupin e gatshëm të krijuar nga kjo parti, polici paralele partiake dhe në kundërshtim me ligjin, për të mbrojtur votën e PD. Dhe në furgonin nga zbriti Papleka që kreu vrasjen ishte vetë Bardhi, dhe po ai e mbrojti vrasjen, duke argumentuar se po i ndalonin Xhuvanin dhe të tjerët pasi kishin informacione se po blinin vota në favor të PS.
Merret jeta e një njeriu për ca vota, dhe nëse do të rezultonin të vërteta akuzat e PD dhe Bardhit, përmes të cilave justifikonin vrasjen e kryer nga pjestari i grupit të armatosur të kësaj partie?
Dimë që Papleka u dënua nga gjykata para disa ditësh, por nuk dimë nëse ka folur apo jo, në lidhje me faktin se kush e rekrutoi, apo se kush ia dha urdhërin për të dalë nga furgoni dhe për të ndaluar automjetin ku udhëtonte grupi me Xhuvanin. Nëse ka përmendur emrin e Bardhit ose jo, dhe nëse me përmendjen ose jo, Bardhi është peng te Berisha. Duke e përdorur dhe ai si Salianji, për të ‘stepur’ drejtësinë që të merret me të. E duke ia ditur për nder se kaloi pa u prekur emri i tij. Nuk e tha rastësisht Berisha sot se Gazment Bardhi është anëtar i këshillit Kombëtar të PD së tij, pra “Rithemelimit”, duke ‘dekospiruar’ ndoshta gjithçka.
Janë pyetje që mbeten pa përgjigjie ekzakte, por që lënë shumë dyshime të forta, në lidhje me ndryshimin e sjelljes së Bardhit, dhe veprimeve të tij që ngjajnë shumë me atë të një njeriu në hall. Koha do ta vertetojë, qofshim të gabuar.
Ndërkohë që Basha më 29 korrik do të zgjidhet kryetar i PD zyrtare, më e vogël padyshim në numër, kuptohet dhe pa Bardhin dhe mbështetësit e tij brenda saj. Duke shënuar në këtë mënyrë thërmimin e plotë të PD në disa grupime të vogla, dhe praktikisht duke e ‘pasuruar’ skenën politike shqiptare me PD-në të drejtuar nga Luli, PD të drejtuar nga Berisha dhe PD ‘digjitale” të drejtuar nga Bardhi. Me shumë shanse bashkimi të këtyre dy PD-ve të fundit. Sikurse duken gjasat, pasi për këtë po luftohet nga Berisha. Të presim e të shohim. Koha do e vertetojë.