Të gjithë komisionerët e qendrës së votimit në shkollën “At Zef Pëllumbi”, përfunduan të pandehur në gjykatën e kryeqytetit mbasi gënjyen autoritetet duke mos treguar identitetin e një gruaje, të cilën ata e konstatuan duke fotografuar votën dhe më pas kur u ripyetën në polici, ata mohuan që ta kishin parë ndonjëherë.
Shpëtim Agolli, Arlind Myftari, Edlir Fusha, Arlind Myftaru, Genta Lica, Ylli Dura dhe Nuri Kasa pritet të gjykohen në gjendje të lirë me tepër në përfundim të hetimeve që kishin nisur për një shtetase të kallëzuar prej tyre. Por dosja që iu vendos në dispozicion Top Channel, tregon se hetimet morën një rrjedhë të kundërt edhe ndaj denoncuesve me të cilët votuesja kërkoi ballafaqim dhe veprime hetimore shtesë. Por, teksa qytetarja e dyshuar për shkelje të fshehtësisë së votës përshkruhet nga komisionerët si biondja me një maskë Covid-i, rezulton se këto të dhëna i përkisnin një gruaje tjetër të moshës 69 vjeç.
Kamerat e sigurisë të kërkuara pranë KQZ-së vërtetuan se ata nuk kishin thënë të vërtetën . Prokuroria thotë se në qendrën e votimit me numër 1845/3 në mbyllje të hetimit është bindur se qytetarja që fotografoi votën është shtetasja V.Gj. dhe komisionerët ishin të qartë për identitetin e saj. Megjithatë, ata ndryshuan dëshminë duke pretenduar se këtë veprim e kishte kryer dikush tjetër./ Marrë nga TCH