Demokratët ruajtën “traditën” e minutave të fundit, për të dorëzuar në limitin e kohës kërkesën për koalicion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” që do të drejtohet nga selia blu e Sali Berishës e që ka në përbërje 25 parti të vogla, u mbajt peng deri në fund nga negociatat e vështira me Shpëtim Idrizin, të cilit do t’i jepet një mandat në listë të mbyllur, përkundrejt dëshirës së tij për 2 deputetë të sigurt.
Më i përkëdheluri i koalicionit është Ilir Meta, logoja e të cilit ka 4 vende të sigurta në parlament sipas marrëveshjes. Aleatët e tjerë të vegjël do të qëndrojnë në kuotën e 1 mandati të sigurt për Mediun, Dulen dhe PAA e Agron Dukës duke çuar në 8 numrin e mandateve të deputetëve që i falen aleatëve, por të gjithë do të kenë mundësi të fusin në lista të hapura kandidatë.
Krahas aleatëve tradicionalë thuajse të njëjtët edhe të zgjedhjeve të shkuara, ku sërish çamët e grekët do të jenë në të njëjtën ombrellë, për aleancën për “Shqipërinë Madhështore” Berisha ka thirrur në ndihmë edhe Kujtim Gjuzin, Selami Jenishehri, Sazan Gurin apo Kostaq Papën, ky fundit i njohur për deklaratën e tij të famshme në foltoren e Kuvendit më 2020 kur deklaroi se kur kishte qenë i ri me kaçurrela e lekë, vajzat që rrinin me të kishin pirë më shumë whisky sesa ujë.
Me ta, Berisha synon të mundë Ramën në betejën e pranverës. Por koalicioni i Berishës nuk të jetë i vetmi që shkon si bashkim forcash opozitare në zgjedhjet e 11 majit.
Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet”, “Nisma Thurje” dhe Partia “Lidhja për të drejtat e punëtorëve shqiptarë” do të jenë bashkë nën një koalicion të quajtur “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Edhe Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi dorëzuan koalicionin “Djathtas për Zhvillim” dhe do të jenë me një listë të përbashkët kandidatësh.
Ata kërkuan deri në fund bashkimin e partive të tjera të vogla që i thonin jo politikës së vjetër, por nuk arritën marrëveshjen as me Lulzim Bashën i cili në zgjedhje për herë të parë shkon i vetëm me partinë e huazuar dhe me emër të ri Koalicioni Euro-Atlantik, ku Basha nuk do të figurojë as si kryetar.
Vetëm në zgjedhje shkon edhe ‘Mundësia’ e Agron Shehajt që testohet për herë të parë në një garë elektorale.
Me moton e vjetër se aleancën e kanë vetëm me qytetarët, edhe forca qeverisëse, Partia Socialiste shkon në zgjedhje e vetme.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
