Lajmet dramatike të ditëve të fundit rikthejnë në pah gjendjen e vështirë të pakicës druze në Siri, e cila po përpiqet të rindërtojë unitetin e saj të brendshëm pas rrëzimit me dhunë të diktaturës së Bashar Assad-it tetë muaj më parë. Aktualisht, duket se një armëpushim i brishtë është në fuqi në jug të vendit, përreth qytetit druz të Suëeidës. Megjithatë, në mëngjes avionët izraelitë kanë rifilluar bombardimet, këtë herë në zonat bregdetare pranë Latakias, pasi një ditë më parë kishin goditur zemrën e Damaskut, pranë ministrisë së Mbrojtjes dhe pallateve presidenciale. Po dje, për herë të parë që kur mori pushtetin, presidenti i përkohshëm Ahmad al-Sharaa ka kritikuar drejtpërdrejt Izraelin, duke e akuzuar se synon “destabilizimin” e vendit të tij.
Por kush janë druzët dhe si mund të vendosen ata në mozaikun e feve dhe etnive që karakterizojnë shoqëritë e Lindjes së Mesme? Në mënyrë të përmbledhur, mund të thuhet se druzët janë monoteistë të devotshëm, i referohen fesë abrahamike, nuk identifikohen si myslimanë, por flasin arabisht si pjesë përbërëse e kulturës dhe identitetit të tyre, ruajnë rituale të fshehta për jo-besimtarët, besojnë në rimishërim dhe përjetësinë e shpirtit. Mjafton të renditim disa aspekte të botës Druz për të kuptuar se si ajo është njëkohësisht një produkt i universit të Lindjes së Mesme dhe viktimë e përndjekjeve e diskriminimeve të vazhdueshme. Llogaritet se sot druzët janë midis 800 mijë dhe një milion, prej të cilëve rreth gjysma në Siri, 35 deri në 40 për qind në Liban dhe 10 për qind në Izrael. Minoritet krenar për përkatësinë e vet, fjala kyçe për të mbijetuar mes forcash kryesisht armiqësore ka qenë gjithnjë ajo e qëndrimit si një komunitet i mbyllur në vetvete, por i gatshëm për kompromise për të bashkëjetuar me pushtetin qendror të radhës.
Zakonisht lindja e tyre si grup i veçantë me besim specifik, i ndryshëm nga Islami, vendoset në shekullin XI gjatë kalifatit fatimid në Kajro të al-Hakim bi-Amr Allah. Pasuesit e tij filluan ta konsideronin atë si një figurë hyjnore, por u përndoqën që pas vdekjes së tij në vitin 1021 pas Krishtit, dhe pikërisht këto diskriminime i detyruan të kërkojnë strehim në zonat malore që sot janë pjesë e Sirisë, Libanit dhe deri në malin Hermon, Galilenë dhe pjesën e Golanit të pushtuar nga Izraeli.
Në shekullin XII, udhëtari hebre Benjamin Tudela dëshmon në ditarët e tij ekzistencën e komuniteteve druze, të cilat ai i përshkruan si të izoluara në male dhe të mbrojtura nga luftëtarë trima e të armatosur mirë. Në shekullin XVI prania e tyre rritet dhe shtrihet drejt lindjes, deri në Alepo e kufijtë me Irakun bashkëkohor. Në shekullin XIX shpërthejnë përplasje të rënda e të përgjakshme midis druzëve dhe të krishterëve maronitë në Liban, aq sa Franca përfiton për të ndërhyrë ushtarakisht në ndihmë të të krishterëve. Druzët nuk dorëzohen as përballë forcës së ushtrisë koloniale franceze dhe krijojnë një zonë të tyren autonome. Në vitin 1925, udhëheqësi druz Sultan al-Atrash udhëheq një kryengritje popullore kundër regjimit kolonial francez në Siri me qëllim të qartë ndërtimin e një shteti të pavarur druz. Por kryengritja shtypet dhe që prej asaj kohe druzët përpiqen në përgjithësi të ruajnë ndarjen e tyre shoqërore, por gjithsesi të bashkëjetojnë me pushtetin dominues.
Sot në Siri, al-Sharaa drejton një koalicion të paqëndrueshëm milicish dhe grupesh të armatosura sunite, të kalitura nga 14 vite luftë civile që shpërtheu me “pranverën arabe” të vitit 2011. Rënia e diktaturës së Bashar Assad në dhjetor të kaluar u parapri nga represione e dhunë të tmerrshme që formësuan strategjitë dhe sjelljet e forcave që tani dominojnë Sirinë. Prej rreth 7 muajsh al-Sharaa përpiqet të unifikojë vendin, të imponojë monopol mbi dhunën dhe të çarmatosë çdo fraksion të armatosur: sidomos alaëitët (shiitët që mbështesnin regjimin e vjetër), druzët dhe kurdët në veri. Por kjo përpjekje ka sjellë pasoja të rënda me beteja dhe masakra. Në prill, rreth 1.700 alaëitë u masakruan në beteja të përgjakshme përgjatë bregut midis Latakias dhe Tartusit. Më shumë se 100 druzë kanë humbur jetën në rajonin e Damaskut.
Duhet shtuar se vetë al-Sharaa ka lindur politikisht nga radhët e ISIS në Irak dhe deri pak vite më parë ishte i lidhur ngushtë me milicitë më ekstremiste xhihadiste në Idlib, në veri të Sirisë. Brenda këtyre rrymave, urrejtja politike dhe madje teologjiko-fetare kundër druzëve mbetet e rrënjosur. Edhe ushtria e Assad kishte në radhët e saj trupa elitare druze të gatshme për të luftuar kundër ekstremistëve sunitë. Por duhet vënë re se zgjedhja e fundit e Izraelit për të mbështetur druzët hedh benzinë mbi zjarrin e përçarjes së brendshme në Siri.
Qeveria e Benjamin Netanyahut e paraqet politikën e vet si një lloj ndërhyrjeje bujare në favor të një pakice të përndjekur. Ndihmojnë në këtë drejtim disa fraksione të druzëve izraelitë (rreth 143.000 persona, 3 për qind e popullsisë së shtetit hebraik), veçanërisht ata që jetojnë në Golan (më pak se 25.000), të cilët ofrohen vullnetarisht dhe madje kalojnë kufirin për të ndihmuar “vëllezërit” në rrezik. Por realiteti është më kompleks. Siç ka shkruar në Ha’aretz eksperti Zvi Bar’el, Izraeli kërkon të “normalizojë” marrëdhëniet me Damaskun, por gjithsesi frikësohet nga kaosi i pakontrolluar që sundon në vend. Që nga masakra e kryer nga Hamasi më 7 tetor 2023, qeveria Netanyahu ka hequr dorezat dhe sulmon pa shumë skrupuj, edhe në mënyrë parandaluese. Rënia e regjimit pro-iranian të Assad, e paraprirë nga disfata e Hezbollahut në Liban, ka parë aviacionin izraelit të fundosë flotën siriane, të bombardojë bazat ushtarake dhe depot e armëve – përfshirë edhe ato jo konvencionale. Jeruzalemi ka urdhëruar gjithashtu trupat e tij të marrin të gjithë malin Hermon dhe të zgjerojnë pushtimin e lartësive të Golanit përtej kufijve të luftërave të 1967 dhe 1973.
“Në Siri, Izraeli gjatë muajve të fundit ka shkelur disa herë konventat ndërkombëtare”, vëren më tej Bar’el. Në këtë kontekst agresioni parandalues për të garantuar kontrollin e rajoneve që deri tetë muaj më parë ishin trampolina të mundshme për forcat pro-Teheranit (edhe pse Golan është prej dekadash një nga kufijtë më të qetë), Izraeli ka hyrë gjithashtu në kontakt me druzët që jetojnë në 120 fshatra në Sirinë jugore pranë Golanit, duke u propozuar si aleat. Dhe kjo, ndonëse prej kohësh vetë al-Sharaa kishte ofruar një marrëveshje serioze për armëpushim me Netanyahun, por kërkonte gjithashtu fundin e ndërhyrjeve në vendin e tij.
Raportet e orëve të fundit flasin për një armëpushim të brishtë. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia përpiqen të ndërmjetësojnë. Presidenti Trump, dy muaj më parë, i dha një mbështetje të papritur al-Sharaas, duke u takuar personalisht me të në Arabinë Saudite, duke anuluar sanksionet kundër Sirisë dhe duke ftuar Netanyahun të nënshkruante me të një traktat paqeje. Të njëjtën gjë bën edhe presidenti turk Erdogan, që është një aleat i ngushtë i al-Sharaas. Por pikërisht ky element shqetëson Izraelin, i cili tani frikësohet nga pesha në rritje e Turqisë në të gjithë rajonin dhe punon gjithashtu me kurdët për të dobësuar si Damaskun ashtu edhe Ankaranë./Corriere della Sera
Komente
