Kush janë Robert Neçaj dhe Shkëlzen Lamuça, dy 'heronjtë' e pazakontë që priten nga Arbana Osmani në Festivalin e Këngës!

20 Dhjetor 2022, 21:47| Përditesimi: 21 Dhjetor 2022, 18:20

  • Share

Festivali i Këngës, siç u premtua, në mbrëmjen e dytë i dedikon një hapësirë të veçantë njerëzve të thjeshtë, me një kontribut të veçantë. Është ky rasti i dy personazheve Robert Neçaj dhe Shkëlzen Lamuça, të cilët kanë vënë në rrezik jetët e tyre, për të shpëtuar të tjerët.


"Janë njerëz të thjeshtë që me kontributin e tyre kanë frymëzuar të gjithë ne dhe meritojnë mirënjohje", u shpreh moderatorja e drejtorja artistike e Festivalit Arbana Osmani.

Neçaj, vrojtuesi i plazhit nga Lezha në muajin gusht të këtij viti ka shpëtuar në plazh dy qytetarë, pavarësisht se për shkak të riskut ra për dy muaj në koma. Sot është në skenën e madhe të Festivalit të Fundvitit në Pallatin e Kongreseve duke marrë mirënjohjen e publikut. 

Po ashtu edhe Lamuça ka shpëtuar dy motra 8 dhe 3 vjeçe gjatë një zjarri në Kombinat, ku ka qenë i pari që ka ndërhyrë.

Të dy u shprehën të emocionuar për këtë gjest falenderimi, ndërsa zjarrëfiksi mori edhe kënaqësinë e të prezantuarit këngëtaren  e radhës në Festival, Arsi Bakon.
 

Ora 23:38
Festivali i Këngës, në mbrëmjen e dytë rrëmbejnë vëmendjen mesazhet sociale! Juria zgjedh të rinjtë finalistë!

Mbrëmja e dytë e Festivalit të Këngës në këtë edicion të 61 erdhi me mesazhe sociale e ndërgjegjësuese, krahas performancave të 13 garuesve të radhës. Përmes kolegëve u vlerësua në skenë puna e mjekut anastezist Ilir Ohri, i cili aktualisht është në gjendje jo të mirë shëndetësore, për përkushtimin e tij ndaj profesionit dhe në përccimin e zanatit tek brezat e tjerë. Po ashtu i riu Jamarbër Hoxha, në emër të fëmijëve autikë,erdhi me mesazhe mirënjohjeje për prindërit që përkushtohen në kujdesin e tyre, si dhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë për pranimin dhe trajtimin e fëmijëve me autizëm, për tu lejuar atyre të zhvillojnë dhuntitë e tyre dhe të integrohen. 
Juria e përbërë nga artistët Alma Bektashi, Rita Petro, Zhani Ciko, Elton Deda dhe Genc Salihu, zgjodhën nga të rinjtë pjesëmarrës në Festival, finalistët:
Melodajn Mancaku "Gjysma e zemrës sime"
Erma Mici "Kozmosi i dashurisë"
Vanesa Solo "Aroma jonë"
Urban Band  "Në çdo hap"
Gent Hoxha  "Ajër"


 

Ora 22:27
Manjola Nallbanin se ndal as temperatura 40 gradë, në Festival me këngën ritmike 'Dua': Performoj sot me zërin e shpirtit! E shkela këtë skenë që 15-vjeç

1671571227_Screenshot2.jpg

Me një këngë ritmike, e mesazhe dashurie, por në gjendje jo të mirë shëndetësore. Manjola Nallbani performon në Pallatin e Kongreseve këngën "Dua" me kompozim të Kledi Bahitit e tekst të sajin shoqëruar me një performancë baleti. Osmani theksoi se Nallbani këndoi gjatë mbrëmjes së dytë të Festivalit të Këngës e sëmurë me temperaturë 40 gradë, po siç thotë artistja ajo ia beson interpretimin e saj zërit të shpirtit.

Ndërkaq këngëtarja rrëfeu edhe rëndësinë e veçantë që ka kjo ngjarje muzikore për të.

"E kam shkelur këtë skenë që 15 vjeç, jam shumë e lumtur që rikthehem. Duhet t'i rikthejmë këtij festivali shijen e dikurshme, pikërisht atë pjesën Fest', pasi për të tillë bëhet fjalë. Këtu vjen zëri artistëve nga të gjitha trojet shqiptare...", u shpreh ajo.

Ora 22:10
E heshtur para performancës, Elsa Lila, pas 25 vitesh në Festivalin e Këngës si konkurrente, me dedikim prekës për të bijën

1671569890_Screenshot1.jpg

Mbrëmja e dytë e Festivalit të Këngës, kulmon me rikthimin në këtë garë pas 25 vitesh të këngëtares Elsa Lila. Ka zgjedhur të qëndrojë e heshtur këngëtarja para performancës, por siç konfirmon moderatorja Arbana Osmani, kënga "Evita" me të cilën ajo merr pjesë në festival, i dedikohet së bijës që mban këtë emër, e cila po ashtu është e pranishme në Pallatin e Kongreseve. 

Lila është gjithashtu autore e tekstit prekës ku shpreh pritjen e gëzimin për lindjen e së bijës.  Ajo zjodhi për këtë performancë dirigjentin italian Enrico Melozzi, që siç nënvizoi Osmani, vjen nga Sanremo.

Artistja në fund të performancës, u prit me duartrokitje nga publiku.

Në Festivalin e Këngës Lila ka lënë gjurmë me këngë si "Larg urrejtjes" dhe "Pyes lotin", ndërsa në vitin 2007 mori pjesë edhe në "Sanremo" në Itali. Ndërkaq rikthimi i saj vjen pas problemeve me drejtësinë kohëve të fundit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?