Politikë
Top 24

Kush janë dy gratë që do të drejtojnë grupet parlamentare të opozitës së re në Kuvend

28 Mars 2019, 14:17| Përditesimi: 28 Mars 2019, 14:23

  • Share

Opozita e re me 20 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë ka hedhur hapin e parë për formalizimin e grupeve parlamentare, ndërsa kanë nisur të përfliten edhe krerët që do të drejtojnë grupet. Deputetët e PD-së dhe LSI-së në Kuvend, në një mbledhje mes tyre këtë të enjte në parlament, kanë rënë dakord që t'i drejtohen me shkresë zyrtare Kuvendit për formalizimin e grupeve, javën e ardhshme. Nga Partia Demokratike, Rudina Hajdari, deputetja që nuk hoqi dorë nga mandati, është diskutuar si emri më i mundshëm për kryesinë e grupit parlamentar.

Nga LSI-ja, Lefter Koka, deputet që gjithashtu doli kundër veprimit të LSI-së për djegie në bllok të mandateve, ka kërkuar që në krye të grupit parlamentar të ri të LSI-së të vihet një grua.

Enver Roshi, kandidat nga listat e LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, që pranoi mandatin, ka propozuar emrin e Ediola Brahas për drejtimin e grupit.

Vendimi përfundimtar pritet të merret javën e ardhshme mbi emrat që do të jenë drejtuesit e rinj të grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së. Me opozitën e vjetër që doli jashtë Parlamentit dhe tashmë ka nisur një valë protestash kundër qeverisë, grupi i PD-së drejtohej nga Edmond Spaho, ndërsa LSI-ja nga Petrit Vasili. Nga deputetët që dolën kundër vendimit për djegie mandati, është edhe Mylsim Murrizi i PD-së.

Opozita e re në Kuvend ka 20 deputetë, ndërsa në total numri i deputetëve është 99, 79 prej të cilëve janë të mazhorancës.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?