Kush përfiton nga puna e SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme

24 Shtator 2023, 21:07| Përditesimi: 24 Shtator 2023, 21:11

  • Share

SPAK ka tashmë një bilanc domethënës. Hetimet dhe akuzat penale kanë shënjuar ministra, zëvëndësministra, zyrtarë të tjerë të lartë të qeverive Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3, bashkëpunëtorë, klientë dhe ortakë të tyre në aferat korruptive, eksponentë të krimit të organizuar të cilët kanë marrë bonuse të drejtpërdrejta nga qeveria dhe kanë shërbyer si celula zgjedhore komplementare të Partisë Socialiste për intimidim të zgjedhësve dhe blerje të votave.

Ky bilanc ka bërë që skepticizmi në publik të zëvëndësohet nga optimizmi i matur dhe besimi se motoja “ askush mbi ligjin” nuk do të falë kërkënd, pavarësisht emrit, fuqisë politike, postit, pasurisë.

Ky bilanc ka rrëzuar ndërkohë mendimin e goditjeve të balancuara politike, shprehje e një mendësi të vjetër, në inercinë e traditës, që s’di ta shohë ndryshe drejtësinë veçse si një instrument të politikës.

Godija me përparësi e aferave korruptive ku janë përfshirë zyrtarët e partisë në pushtet është logjike. Dosjet e korrupsionit qeveritar janë më të reja në kohë, janë në vazhdim shumica prej prej tyre, si përshembull ajo e inceneratorëve apo e sterilizimit. Pra, përveçse më të lehta nga një pikpamje për hetuar, është emergjente t’u ndalohet zhvatja e paravë të buxhetit.

Dihet se SPAK po heton gjithashtu në thellësi afera korrruptive dhe denocime ku janë përfshirë ish zyrtarë të lartë e shumë të lartë të qeverive të mëparshme “Berisha” apo edhe “Meta”, familjarë të tyre. Duke qenë më të vjetra, të hetuara pjesërisht dhe të çuara në gjykatë disa prej tyre, (afera e Gerdecit, apo vrasjet e 21 janarit), të mbuluara gjatë me mjergull dhe mister disa të tjera, këto hetime janë sipas meje objektivisht me të vështira dhe marrin më shumë kohë.

Nga një anë SPAK duhet të fitojë kohën e humbur të drejtësisë së mëparshme puthadore e pushtetit. Kjo i kërkron të nxitojë. Nga ana tjetër i duhet të jetë i saktë dhe të mos dështojë. Akuzat duhet të ngrihen mbi prova të pakundështueshme. Një gjë nuk ndryshon: Treni i drejtësisë po merr e do të marrë përpara të gjithë ata zyrtarë e ish zyrtarë që e kanë berë vetën për tu dënuar. Ky është një premtim i SHBA-ve për popullin shqiptar. Që po mbahet e do të çohet deri në fund.

Nga ndëshkimi ligjor i korrupsionit dhe krimit në sferat e larta e në çdo nivel tjetër fitojnë njerëzit, familjet, vendi, demokracia, siguria, kultura e ligjit. Fiton politika që pastrohet e bëhet më e përgjegjshme.

Përtej kësaj është interesante të shikohet cilat forca dhe grupe politike po e kapitalizojnë dhe mund ta kapitalizojnë politikisht produktin e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme?

Le të shohim PS dhe qeverinë e saj. Goditjet që ka marrë e vijon të marrë qeveria e kryeministrit “Rama” e dobësojnë logjikshëm atë në sytë e opinonit publik. Ministra që deri dje tregoheshin si yje në zenit apo në ngjitje dhe tani janë në burg apo në arrati, një mori zyrtarësh të tjerë socialistë në hetim, një tokë e terë në shpërthim, minuar me abuzime dhe paligjshëmëri rreth e rrotull kryeminstrit-të gjitha këto do të kishin sjellë si pasojë humbjen e mbështetjes popullore dhe rënien e qeverisë në krizë në çdo vend demokratik të botës. Besoj se kjo do të kishte ndodhur edhe në Shqipëri nëse vendi do të kishte një opozitë të bashkuar me një lidërship të ri të pakonsumuar, të cilit mund ti besohet qeverisja e re.

Por efektet e goditjeve që ka marrë e do të vazhdojë të marrë qeveria “Rama” zbehen në kushtet kur paradoksalisht opozita, njëlloj si qeveria, është problemi dhe jo zgjiidhja. Jo veten sepse është e përçarë, jo vetëm se kreu i fraksionit më të madh opozitar, zoti Berisha është i ndaluar në SHBA dhe dyermbyllur në Europë, pra jo vetëm se e ka barutin të lagur për ketë shkak, por edhe sepse nuk ofron asgjë përveç riciklimit për herë të tretë të së njëjtës kupolë, hierarki, qasje, ligjërim dhe kulturë politike. Çfarë nuk do të ndizte edhe po të kishte një lidership të medaljuar nga partnerët. Rama humb pak nga bastisjet e drejtësisë në pallatet e pushtetit kryesisht falë asaj pjese të opozitës që nuk përfiton gjë nga goditja e të korruptuarve rreth tij.

Kësaj dhurate të fatit Rama përpiqet ti shtojë të vetat duke kryer zevendësime dhe rinovime në ekipet e tij, në një si garë të heshtur në kohë me SPAK, me qëllim që goditjet e radhës të mos i gjejnë në poltrona të akuzuarit dhe ai t’i paraqesë në publik si “ish”-a, që i ka qëruar vetë më parë. Njeherësh duke e mbajtur veten dorëjashtë dhe të distancuar ndaj të akuzuarve dhe të dënuarave – “kush ka abuzuar të përgjigjet vetë. Nuk do të mund t’u jepte mbrojtje edhe po të donte; distancimi dhe retorika e përgjegjësive indivduale, sado e drejtë që është, nuk do të mund ta nxirrnin të larë e ta shpëtonin kryeministrin në momentin kur të akuzuarit nuk janë një e dy por shumë, dhe kur është ai që i ka zgjedhur, mbajtur e promovuar. Por Ramën e mban kriza e opozitës, mungesa alternativës. Do të ishte një paradoks ne vete,me shijen e një sarkazme, por jo e pamundur të ndodhë, që kreu i qeverise jo vetëm të mos humbte, por edhe të fitonte politikisht nga produkti i SPAK duke e falenderuar SPAK-un se po i pastron qeverinë dhe partinë! Kjo nuk do të ndodhte vetëm nëse në ndonjerën prej aferave në hetim të akuzohej ai vetë dejtpërsdrejti.

Berisha me grupin e tij të Rithemelimit të PD-së duhej të ishte një prej përfituesëve politikë kryesore të produktit të SPAK. Logjikisht, në gjithë segmentet e saj, opozita duhej të konstatonte dhe kapitalizonte jehonën e denoncimeve të saj dhe t’i gëzohej faktit që këto denoncime po hetohen e shndrrohen në akuza penale nga organi numër një i akuzës në vend. Këtë shohim ta bëjë Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Basha, por jo Berisha, i cili e ka vendosur veten në skajin tjetër të litarit në raport me SPAK duke e sulmuar papushim me një gjuhë denigruese deri duke e quajtur SKAP. Edhe kur SPAK kap peshq të mëdhenj. Berisha të jep përshtypjen se as që e mendon të përfitojë politikisht nga dënimi prej drejtësisë së re i atyre që vetë ka dënoncuar. Ai është në konflikt interesi me SPAK për shkak të aferave në proces hetimit të krijuara gjatë qeverisjes së tij.

Atij i duhet të mos i njohë asnjë meritë, ta tregojë të dështuar, të tregojë si një institucion të kapur që bën drejtësi më rregji nga Edi Rama, duke i njohur kësisoj Edi Ramës një meritë të madhe që nuk e ka në fakt, atë të luftëtarit kundër korupsionit në qeverinë e tij. Po ta kontrollonte SPAK-un Edi Rama, Berisha me të tijtë do të ishin të qetë siç kanë qenë prej sa vitesh me Ramën kryeministër. Probblemi i tij është një SPAK që nuk dëgjon nga politika, veçse nga ligji dhe që mbështetet, motivohet e sigurohet në kryerjen e detyrave nga partnerët amerikanë e europianë. Ai e sulmon SPAK per ta paraqitur para ndjekësve të tij si hakmarrës politik në skenarin e ngritjes së një akuzë kundër tij apo enturazhit të tij familiar e miqësor. Ndaj ka vendosur ti refuzojë përfitimet që do të kishte nga operandi i SPAK nëse do ta mbështeste atë.

Në të kundërtën, Partia Demokratike zyrtare ka normalizuar mbështetjen kostante dhe pa ekuivoke të drejtësisë së re. Është e natyrshme. Nëse kjo parti synon pastrimin e politikës nga të korruptuarit e të inkriminuarit, këtë mund ta bejë dhe po e bën dora-dora vetëm SPAK dhe drejtësia e re. Kjo parti e ka kuptuar se e ka në favor operandin e SPAK edhe kur ai godet ish zyrtarë të lartë brenda radhëve të saj. Ka kuptuar se opozita nuk humb kur i heqin të korruptuarit, cilëtqo qofshin ato.

Se sa do të pëfitojë politikisht PD zyrtare nga qëndrimet e drejta që po mban, kjo do të shihet në vijimësi edhe në kuadrin e të çarave të reja dhe volumit të shembjeve që do të pësojë ngrehina shumëvjeçare e pandëshkueshmërisë në vend. Një gjë është aksiomatike: Qëndrimet e drejta të PD-së zyrtare apo lëvizjeve të reja që po lindin në mbështetje të drejtësisë së re që po shkruan historinë e re të sudimit të ligjit, nuk kalojnë kurrë pa efekte pozitive elektorale.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?