Albin Kurti regjistron një tjetër përplasje me partnerët ndërkombëtar. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kosovë, reagoi me fjalë mjaft të ashpra, një ditë pasi Kryeministri i Kosovës refuzoi ti përgjigjej urdhrit të gjykatës për të dëshmuar në prokurori. Njëjtë refuzonte edhe Sali Berisha që të paraqitej në SPAK kur ndaj tij u vendos masa e sigurisë detyrim paraqitjeje.
Në një deklaratë të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë thuhet se veprimet të tilla nga cilido që bëhen ato ulin besueshmërinë tek qeveria dhe sistemi I drejtësisë, ndërsa çdo veprim që pengon proçeset e drejtësisë duhet të dënohet.
Refuzimi i çdo individi – pavarësisht nga pozicioni – për të përmbushur urdhrat e gjykatës dhe procedurat ligjore minon besimin e publikut në qeverisje dhe gërryen themelet demokratike të Kosovës. Kodi Penal, përforcon pasojat ligjore të pengimit të drejtësisë dhe keqpërdorimit të autoritetit zyrtar. Çdo akt që pengon ose prish proceset gjyqësore duhet të dënohet pa mëdyshje,pasi kërcënon vetë parimet e llogaridhënies dhe transparencës.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kosovë e mbyll deklaratën duke bërë thirrje Kurtit dhe të gjithë liderëve politikë që të respektojnë proceset ligjore dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për të luftuar korrupsionin.
Kryeministri i Kosovës u urdhërua nga gjykata që të dëshmonte në prokurori për rezervat shtetërore, por ai refuzoi dhe në orën që duhej të ishte në prokurori Kurti u shfaq në një inaugurim në Gjilan ku akuzoi organin e akuzës se po sulmon qeverinë më shumë sesa po lufton krimin e korrupsionin.
Sipas parashikimeve ligjore Kurti rrezikon gjobë dhe shoqërim nga autoritetet në rast se do të refuzojë sërish dhënien e dëshmisë.
Komente
