Kushtetuesja e Maqedonisë po shqyrton shfuqizimin e gjuhës shqipe, Spiropali pas takimit me Gashin: Të zbatohet marrëveshja e Ohrit, cenohet identiteti ynë!

23 Shtator, 12:41| Përditesimi: 23 Shtator, 18:06

  • Share

Shkup- Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha sot (23 Shtator) gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e saj maqedonas, Afrim Gashi, se ‘cenimi i gjuhës shqipe, cenon identitetin e shqiptarëve’, teksa shtoi se kjo çështje duhet të zgjidhet sipas marrëveshjes së Ohrit.

Deklarata u bë pas takimit të sotëm dy homologëve dhe në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni, për një kërkesë për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë, Tirana zyrtare ka kërkuar zyrtarisht, që ligji që është në fuqi të zbatohet plotësisht.

“Ne presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht ligji për gjuhët. Gjuha shqipe është e shenjtë dhe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë dhemb shumë dhe cenon identitetin tonë, që ne afrojmë në këtë botë të madhe si vlerën tonë. Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për ndryshimet e mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që kjo të ketë zgjidhje sipas klimës që dikton marrëveshja kuadër e Ohrit”, tha Spiropali ndër të tjera.

Më tej ajo foli edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm dypalësh mes vendeve, pavarësisht ndonjë mosmarrëveshjeje apo mosdakordësie, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy shteteve nuk do ndryshojnë, edhe pas ndërrimit të qeverisë pas zgjedhjeve të fundit.

Ora 17:57
Vizita në Shkup/ Spiropali takohet me kryetarin e BDI dhe ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut: Krenarë mbi rolin e shqiptarëve këtu, faktor stabiliteti, paqeje dhe orientimi euro-atlantik në vend

Foto: Elisa Spiropali dhe Ali Ahmeti

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Shkup, u takua me Kryetar i BDI, Ali Ahmeti ish-kryetarin e Kuvendit të RMV dhe ish-kryeministër, Talat Xhaferi dhe Kryetarin e LSDM, Venko Felipče.

Ajo diskutoi mbi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor demokratizimi, integrimi, stabiliteti e paqeje në vend e në rajon dhe nevojën e ruajtjes së përfaqësimit të drejtë e proporcional të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e RMV. Kryetarja e Kuvendit u shpreh kështu:

“Gjithmonë i veçantë takimi me Kryetarin e BDI, bacën Ali Ahmeti, dhe z. Talat Xhaferi, ish-kryetar i Kuvendit dhe ish-Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Krenarë mbi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti, paqeje dhe orientimi euro-atlantik në vend, ku theksuam nevojën e ruajtjes së përfaqësimit të drejtë e proporcional të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e RMV si dhe respektimin e arritjeve shumëplanëshe të tyre në funksion të një shoqërie multietnike e demokratike”, tha Spiropali.

Me kryetarin e LSDM-së, Venko Felipče, Spiropali diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera me RMV, partneritetin si anëtarë të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në BE, integrimit rajonal dhe përfaqësimin e drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në RMV.

Më tej Spiropali shprehu vlerësimin për qeverisë e drejtuara nga LSDM-së për avancimin e RMV drejt integrimit në BE, progresin politik dhe ekonomik të RMV dhe përpjekjet për të krijuar një shoqëri funksionale demokratike multietnike.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?