VKM e ndërtimeve pa leje, 'Kushtetuesja' kërkon që 28 deputetët kërkues të autorizojnë përfaqësimin! Bardhi: Rezultat i shantazhit të Ramës, po zvarritet! Gjykata: E pavërtetë

26 Prill 2023, 10:44| Përditesimi: 26 Prill 2023, 15:07

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë edhe një herë tjetër seancën për shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për VKM për operacionet për ndërtimet pa leje. Shkak i shtyrjes këtë herë është bërë pasi sipas Gjykatës Kushtetuese kërkohet një autorizim me firmë i të 28 deputetëve që kanë firmosur kërkesën për palën që do t’i përfaqësojë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, e konsideroi absurde një vendim të tillë pasi sipas tij është në kundërshtim me praktikën 32-vjeçare.

“E njëjta trupë gjykuese, e bërë nga të 9 gjyqtarë të Gjykatës, ka vendosur një standard të ri gjykimi duke e shtyrë edhe më tej këtë çështje. Deri më sot 28 deputetët e grupit parlamentar kanë ardhur me një autorizim të lëshuar nga kryetari i grupit. Kështu jemi përfaqësuar edhe para një jave, edhe në një tjetër vendim  të shpallur para një muaji. Ndërkohë që sot na u bë me dije që përfaqësimi duhet të ishte me një autorizim të firmosur nga 28 deputetët e Kuvendit. Nëse do na e kishin thënë para një jave,  do të kishim ardhur me firmat dhe çështja nuk do të ishte zvarritur”, tha Bardhi.

Ai tha se arsyeja e këtij vendimi absurd është shantazhi i Kryeministrit.

“Shantazhi me twitter i z. Rama ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e këtyre e kanë marrë qartë mesazhin e Kryeministrit lidhur me këtë çështje. Kjo është e rëndë. Nuk ka ndodhur kurrë që një Gjykatë Kushtetuese të marrë mesazhe të tilla mafioze. Kjo është edhe arsyeja pse herë pas herë vendos standarde të tjera.  Nëse janë të shantazhuar të na e bëjnë me dijë që të mos harxhojmë ne kohë ndërkohë që vendim i merr Kryeministri dhe oligarkët.  Ka një shantazh të drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe kjo gjë ndodh. Kjo është hera e parë që ndodh. Ka një praktikë 32-vjeçare. Gjithmonë jemi përfaqësuar me firmën e kryetarit të grupit ose në mungesë të tij nga nënkryetari i grupit. Edhe znj. Kokona vjen këtu si përfaqësuese e Këshillit të Ministrave me një firmë të Kryeministrit dhe jo me Vendim  të Këshillit të Ministrave. Ne s’e kemi ngritur si pretendim sepse ka qenë kjo praktika 32-vjeçare”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Edhe debati brenda seancës ka qenë i tensionuar. Bardhi ka thënë në seancë se ka tetë muaj që kjo çështje po zvarritet edhe pse ka interes të lartë publik. Sipas tij ka abuzim me pronat lidhur me këtë VKM dhe nuk çmojmë që ka ende nevojë për ta zvarritur akoma më shumë këtë çështje.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, i ka thënë z. Bardhi se ai përfaqëson vetëm një pjesë të deputetëve.

“Përfaqësimi duhet të jetë me 28. Personi që autorizohet duhet të jetë me 28. Nëse keni kërkesa të tjera me autorizimin e subjektit të interesuar mund ti kishit paraqitur përpara. Nëse ju nuk do të kërkoni kohë për ta plotësuar këtë, gjykata do të mblidhet dhe do të caktojë një seancë tjetër derisa ju të rregulloni aktin e përfaqësimit. Arsyeja pse u pyeta është që të kërkoni kohën e duhur që u nevojitet”, ka thënë Zaçaj.

“Në qoftë se doni ta zvarrisni, vazhdojeni. ne dy deputetë jemi prezentë në seancë, kemi të drejtën e përfaqësimit. Ju nuk po na jepni as të drejtën për të folur. Kërkuam fjalën, kemi të drejtën për të folur. Ju nuk mund të tërhiqeni pa na dëgjuar. Keni marrë një vendim pa na dëgjuar. Unë dhe kolegia ime jemi prezentë në seancë. Nëse Kushtetuesja na e ka hequr të drejtën e fjalës, na e thoni dhe të mos vijmë më. E njëjta trupë ka pranuar kërkesat e grupit të PD-së, 3 cështjen në muajin e fundit. Nëse keni ndryshuar standardin na e thoni. Keni dhënë një vendim para një jave dhe para një muaji, me të njëjtin autorizim. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në 32 vite që të firmoset autorizim, kemi firmosur për kryetarin e grupit. Duhet ta themi këtë për t’u përfshirë në procesverbal”, i është përgjigjur Bardhi.

Këtyre akuzave të Bardhit për zvarritje të procesit, u është përgjigjur edhe Gjykata Kushtetuese nëpërmjet një njoftimi ku shpjegon se pretendimet e deputetit nuk janë të vërteta dhe se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga palët ndërgjyqëse për përshpejtimin e procesit.

Kujtojmë se seancën e kaluar Gjykata Kushtetuese e shtyu për shkak të pretendimit që ngriti përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona, e cila tha se pala paditëse nuk legjitimohet, për arsye se kërkesë padia është firmosur nga 2 deputetë që kane hequr dorë nga mandati, Grida Duma, Alfred Rushaj. Por kjo kërkesë e përfaqësueses së Qeverisë nuk u pranua.

Në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese nismën e firmosur nga 28 deputetë ku kërkohej shfuqizimi i vendimit të këshillit të ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si marrje në mbrojtje të pronave të oligarkëve që kanë ndërtuar kulla në Tiranë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të sekuestrohen.  

Ora 15:50
Shqyrtimi i VKM për konfiskimin e kateve pa leje, Bardhi: ‘Kushtetuesja’ vartëse e qeverisë, e zvarrit çështjen që t’i japë kohë

1682498542_Screenshot6.jpg

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar sërish edhe pas replikës së Gjykatës Kushtetuese për akuzat nga partia Demokratike. Bardhi sërish shkruan se Kushtetuesja e ka zvarritur qëllimisht çështjen për t’i dhënë kohë qeverisë.

Shoh që Gjykata Kushtetuese është shqetësuar për besimin e saj tek publiku pas deklaratës sime sot në seancë se Gjykata ka rënë pre e shantazhit të Edi Ramës. Besimi i publikut nuk vendoset me deklarata politike, por duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën. Nuk vendoset me standarde të shumëfishta dhe as duke u sjellë si vartës të qeverisë dhe mercenarë të oligarkëve, siç ka bërë kjo Gjykatë së fundmi. Si mund të vendosë Gjykata Kushtetuese besimin tek publiku, kur ajo nuk është e paanshme dhe rrëzon vetë vendimet e saj në këto 30 vite ekzistencë?!

Sot, kjo Gjykatë nuk pranoi që ne, si kërkues të shfuqizimit të VKM-së që legalizon ndërtimet pa leje të oligarkëve, të përfqësohemi me autorizim të Kryetarit të grupit parlamentar, por nga firmat e 28 deputetëve kërkues. Një rast i paprecedentë që kur kjo Gjykatë ekziston në demokraci. Në 3 dekada, sa herë PD apo PS ka depozituar një çështje në Gjykatën Kushtetuese, deputetët janë përfaqësuar me autorizim të Kryetarit të Grupit. Sot, Gjykata Kushtetuese e ndryshoi këtë standard që t’i shërbejë sërish qeverisë dhe oligarkëve. Si mund t’i besojnë shqiptarët kësaj gjykate, kur Gjykata veproi ndryshe për përfaqësimin tonë psh. për kërkesën për Bordin e Ushqimeve, për Bordin e Karburanteve, për kërkesën për mandatin e Olta Xhaçkës, për Komisionin Hetimor Becheti dhe me qindra çështje të tjera përgjatë 30 viteve. Pse për këto çështje mjaftonte autorizmi i kryetarit te grupit, ndërsa sot nuk mjaftonte?

Përgjigja është e thjeshtë. Gjykata Kushtetuese po i jep kohë qeverisë dhe po i shërben asaj duke nxjerrë këto justifikime qesharake në mënyrë që qeveria të miratojë një ligj të ri për këtë çështje, si dhe ti jap kohë oligarkëve të rregullojnë letrat dhe të përfitojnë në mënyrë antikushtetuese legalizim të pronave të paligjshme dhe amnisti nga procedimi penal.

Linku më poshtë me projektligjin e ri për këto ndërtime pa leje tregon qendrimin e sotëm skandaloz të Gjykatës Kushtetuese për të zvarritur gjykimin dhe për t’i dhënë kohë qeverisë. Ky ligj nxjerr zbuluar mungesën e integritetit të gjykatësve kushtetues për të vendosur të pavarur për një çështje ku ata e dinë që është shkelur hapur Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Ftoj anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të heqin dorë nga varësia ndaj Edi Ramës, të mos i nënshtrohen as presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij!

Ora 14:36
Shqyrtimi i VKM për konfiskimin e kateve pa leje, Kushtetuesja për akuzat e PD: Kemi respektuar afatet, s’ka zvarritje

1674507036_Gjykatakushtetuese.jpg

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar akuzat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD i cili tha se po zvarritet shqyrtimi për rrëzimin ose të VKM për konfiskimin e kateve pa leje.  Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se asnjë nga palët ndërgjyqëse nuk ka kërkuar përshpejtim.

Njoftimi i plotë i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese, në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut, duke pasur parasysh diskutimet në lidhje me vendimmarrjen e saj të datës 26.04.2023 për kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit, për shfuqizimin e VKM-së nr. 589/2022 “ Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, sqaron sa më poshtë vijon:

Në seancën e datës 11.04.2023 nga subjekti i interesuar u paraqitën dy kërkesa paraprake në lidhje me legjitimimin e kërkuesit dhe me rregullshmërinë e aktit të përfaqësimit të paraqitur prej tij, çështje e cila vihet për herë të parë në diskutim prej palëve përpara Gjykatës.

Në lidhje me kërkimet e mësipërme Gjykata:

- Vendosi, njëzëri, legjitimimin e kërkuesit ratione personae, pasi si në momentin e paraqitjes së kërkesës, ashtu edhe në atë të shqyrtimit të saj në seancë plenare, ai përbën jo më pak se një të pestën e deputetëve, pra numrin e kërkuar nga neni 134, pika 1, shkronja “c”, i Kushtetutës.

- Vendosi me shumicë votash, konstatimin e parregullsisë së aktit të përfaqësimit të paraqitur nga subjekti kërkues, pasi vërejti se kërkuesi (jo më pak se një e pesta e deputetëve) nuk mund të njësohet me grupin parlamentar të deputetëve. Në këtë kuptim, drejtuesi i një grupi parlamentar, edhe kur deputetët që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues i përkasin këtij grupi, nuk ka tagra për të përcaktuar përfaqësimin e subjektit kushtetues në Gjykatën Kushtetuese. Këto tagra i përkasin vetëm subjektit kushtetues (të paktën 28 deputetë), vullneti i të cilit manifestohet përmes shprehjes së vullnetit të deputetëve që kanë formësuar këtë subjekt në çdo rast. Vendimi i mësipërm bazohet në nenin 24 të ligjit organik të Gjykatës nr. 8577/2000, të ndryshuar, i cili parashikon se kur objekt kërkese është një ligj ose akt normativ, kërkuesi përfaqësohet në gjykim me avokat ose përfaqësues ligjor të specializuar dhe, në këtë kuptim, është e nevojshme pasja e një akti nga subjekti kushtetues që përfaqëson vullnetin e deputetëve të këtij subjekti në lidhje me përfaqësimin e detyrueshëm që kërkon ligji.

Gjykata, gjithashtu, caktoi seancën e radhës në datën 02.05.2023, ora 10:00, duke vlerësuar kohën e nevojshme që i duhet kërkuesit për të rregulluar aktin e përfaqësimit, si dhe shqetësimin e tij për zvarritjen e gjykimit.

Në lidhje me këtë shqetësim, Gjykata sqaron se:

Nga depozitimi i kërkesës në datën 14.10.2022, deri në shqyrtimin e saj në seancë plenare publike, kanë kaluar 6 muaj. Konkretisht, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare në datën 30.11.2022 (pra brenda afatit 3-mujor për shqyrtimin paraprak) dhe palëve pjesëmarrëse në gjykim u është dhënë afat deri në datën 27.12.2022 për paraqitjen e parashtrimeve me shkrim.

Duke qenë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët ndërgjyqëse, Gjykata, në datën 23.02.2023 (pra 2 muaj nga afati i paraqitjes së parashtrimeve), ka vendosur caktimin e datës së seancës plenare, duke ndjekur kalendarin e çështjeve sipas radhës, radhë kjo e njëjtë me atë të çështjeve të tjera me të njëjtën natyrë.

Gjykata Kushtetuese, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të medias, rithekson rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe kërkon nga palët vetëpërmbajtje në lidhje me komentet për çështjet në proces, çka do t’i shërbente forcimit të besimit të publikut në autoritetin e saj si organ që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?