Politikë

Kushtetuesja zbardhi vendimin, Patozi: Herësi vdiq, por mbreti mund të ngjallet

13 Korrik 2021, 19:58| Përditesimi: 13 Korrik 2021, 19:59

  • Share

Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi  ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka zbardhur pasditen e sotme vendimin e arsyetuar të datës 30 Qershor ku rrëzoi Kuvendin e Shqipërisë, duke shfuqizuar një nen të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, të preferuarit e kryetarit të partisë kishin më shumë shanse të bëheshin deputetë, ndërsa të tjerët duhet të thyenin atë që u quajt “herës”.  Patozi thotë se herësi është përmbysur dhe ky sipas tij është një lajm i mirë.

" Herësi vdiq, por mbreti mund të ngjallet. Tani që vendimi i Gjykatës Kushtetuese u zbardh, nuk ka më asnjë dyshim se herësi i Damianit është përmbysur dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Tani mund të qetësohen edhe ata, që pritën me gjak të ngrirë, se mos u përmbysej bota, në rast se korrigjimet në Kodin Zgjedhor do të aplikoheshin që me këto zgjedhje. Natyrisht, edhe kryetarët që i hartuan të mbyllura listat e deputetëve.

Tek e fundit në këtë vend do të votohet prapë, ndoshta shumë shpejt, dhe ky nuk është një shërbim i vogël. Sigurisht, në rast se ustallarët e deformimeve të mëdha në Shqipëri nuk do të ulen sërish, për ta kthyer gjithçka nga e para.

Dhe shenjat i kanë dhënë. Sidomos ata të palës humbëse, të cilët që tani kanë shprehur gatishmërinë për një reformë të re zgjedhore, duke filluar nga shtatori, që do të thotë marrëveshje me autorët e masakrës elektorale të 25 prillit. Personalisht, nuk do të çuditesha aspak, edhe pse e di që Lulzim Bashës i mblidhen shumë halle bashkë në shtator dhe i duhet të zgjedhë më pak të rëndat midis tyre.

Por prapëseprapë nuk ka për të qenë njësoj, edhe pse një tjetër pazar i pistë i tyre për të ruajtur statuskuonë politike, po shkëlqen në horizont. Sepse në çdo rast do të marrin një kosto të lartë, pikërisht atë që meritojnë, ndaj edhe ky është një vendim, që duhet mbajtur mend dhe duhet përshëndetur.

Mbi të gjitha, edhe sepse nuk është vetëm kjo ngjarje që po konsumohet në ambjentin tonë politik dhe institucional gjatë kësaj vere tmerrësisht të nxehtë, ndaj ia vlen të shpresojmë", thotë Patozi.


Lajmi kryesor:

Shpërndarja e mandateve të deputetëve, 'Kushtetuesja' publikon vendimin e arsyetuar: Masa e herësit është e madhe, s'është respektuar proporcionaliteti


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?