Ai ka qenë dikur një kameraman i Institutit Luce gjatë periudhës së fashizmit në Shqipëri. Me përfundimin e luftës dhe bllokimin e italianëve në vendin tonë, Alfredo Cecchetti detyrohet t’i shërbejë propagandës dhe bëhet një nga operatorët e parë që ka xhiruar për regjimin komunist dhe Enver Hoxhën. Historia e veçantë e italianit, treguar në filmin dokumentar “Kutia e imazheve të Alfredo C” të regjisorit Roland Sejko, erdhi edhe një herë mbrëmjen e së hënës për një publik të zgjedhur në Tiranë.
I konceptuar si një film hibrid, ndërtuar nëpërmjet xhirimeve dhe përdorimit të materialeve arkivore, për realizmin e filmit Sejko, i cili punon prej vitesh në Institutin “Luce”, ka përdorur mjaft materiale filmike nga Arkivi historik i “Luce”-s.
“Është një personazh që e kam gjetur nëpër arkiva, por dhe nëpërmjet një rindërtimi fiksional, personazh i interpretuar nga Pietro di Silva, një aktor i njohur italian. Ai sillet brenda një magazine filmash dhe duke përdorur një moviolë të vjetër rishikon atë që ka xhiruar, kujtesën e vet, nga frika se mos harrohet. Është një metaforë e gjitha se sa e rëndësishme është kujtesa historike dhe sa e rëndësishme është rishikimi dhe nevoja për të parë edhe se mos është e manipuluar.”, thotë për "Report TV" regjisori Roland Sejko.
Në film është shumë interesante edhe mënyra e veçantë se si trajtohen marrëdhëniet historike midis Shqipërisë dhe Italisë, një temë kjo e trajtuar thuajse në të gjitha punët e Sejkos.
“E kam trajtuar këtë temë pothuajse në të gjithë punët e mia, që nga Lufta e Parë Botërore, sidomos me fashizmin, pasi pjesa më e madhe e xhirimeve të Luçe-s në Shqipëri janë gjatë fashizmit dhe më pas dhe punë të tjera, ku jam marrë me temat e emigracionit. “Për mua, pjesa më e rëndësishme është dhënia jetë e një momenti historik, personazhi historik, që në gjithë elementët e tij kontribuon në një kujtesë të shkuar historike.”, - vijon Sejko.
Sipas tij, kontributi kryesor i këtij filmi, por edhe një filmi të xhiruar më herët prej tij dhe Adrian Pacit, “Sue proprie mani”, me gjasë lidhet me një rizgjim të vëmendjes për të trajtuar momentin historik të shkëputjes së Shqipërisë nga Perëndimi, pas ’44-ës dhe sidomos të një momenti historik thuajse të harruar apo të palëvruar më herët, që është prania e italianëve të mbetur në Shqipëri e të mbajtur me dhunë për një kohë të gjatë në vendin tonë nga regjimi i Hoxhës.
Komente
