Politikë

Kuvend/ E enjtja e “nxehtë” që kërkon marrëveshje PS – PD! S’ka konsensus as për Avokatin e Popullit! PD s’prek afatet, rrezikon të djegë votën e diasporës

9 Shkurt, 18:28| Përditesimi: 9 Shkurt, 18:36

  • Share

TIRANE-  Këtë të enjte (13 shkurt 2025) do të votohet për një Avokat të ri Populli si dhe për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat do të lehtësonin votën e diasporës.  Por pavarësisht se këto janë të dyja çështje që kërkojnë 84 vota, palët nuk kanë shenja konsensusi.

Avokati i Popullit, ishte harruar në sirtarët e Kuvendit që nga qershori i vitit 2023. 7 kandidatë kishin kaluar filtrin e Komisionit të Ligjeve, por nuk ishin futur për votim në seancën plenare, sepse nuk kishte konsensus mes palëve.

Burime pranë mazhorancës i thanë Report TV, se nuk mund të prisnin pafundësisht opozitën, dhe se të enjten, letrat janë të hapura. PS nuk preferon asnjë prej emrave në dispozicion dhe votimi mund t’i djegë të gjithë e gara të hapet nga e para.  Ndërkohë Erinda Balanca, Avokatja aktuale e Popullit, vijon detyrën edhe pse prej gati 3 vitesh i ka mbaruar mandati.

Sa i takon votës së diasporës, duket se i vetmi ndryshim i sigurt në Kodin Zgjedhor, do të jetë ai që lejon KQZ-në të paguajë të gjitha kostot e postës për votën e emigrantëve, si në dërgim, edhe në kthim. Të paktën për këtë, Sali Berisha ka deklaruar votën pro.

Por nga ana tjetër, PD deri më tani zotohet të mos votojë afrimin e afateve për dorëzimin e kandidatëve për deputetë, nëse PS nuk lejon të votojnë edhe emigrantët që nuk kanë asnjë dokument shqiptar identifikimi, por kanë dokumente të huaja.  Kjo do të vështirësojë punën për KQZ-në, e cila do t’i prodhojë dhe shpërndajë më vonë në diasporë fletët e votimit.

Në këto kushte, shumë zarfe që nisen nga diaspora, rrezikojnë të digjen, dhe të mos numërohen, nëse arrijnë në Shqipëri, pas orës 19 të datës 11 maj.

Këtë të hënë,(10 shkurt) shqyrtim e të gjitha amendamenteve të Kodit Zgjedhor do të nisë në Komisionin e Ligjeve, duke i hapur rrugë votimit në seancën plenare të së enjtes.

Kandidatët për Avokat Populli
1-Vitore Tusha
2- Tartar Bazaj
3- Dardan Mustafaj
4- Edison Frangu
5- Besim Ndregjoni
6- Bledar Dervishaj
7- Erald Aga

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 09/02/2025 22:55

    Mire qe e kuptoi Saliu qe nga votat e emigrantve!Shumica e emigrantve sot neper bote jane nje pezjerje te majtesh,enveriste , komuniste, adhurues te socjalizmit te deshtuar,rusofile,kinezedashes dhe armiq te betuar te perendimit dhe demokracise te cilet kurre nuk do votojne per opoziten!Edi Rama e ka kapur kete prandaj ngul kembe qe diaspora duhet te votoje me patjeter!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?