Politikë

Kuvend/ Tabaku: Qeveria frikësohet nga vota e Diasporës, po përjashton 150 mijë shqiptarë nga zgjedhjet!

27 Shkurt, 15:10| Përditesimi: 27 Shkurt, 16:13

  • Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot në Kuvend shqetësimin lidhur me trajtimin e pabarabartë të shqiptarëve nga qeveria, veçanërisht atyre që jetojnë jashtë vendit.

Në fjalimin e saj ajo denoncoi përpjekjet e qeverisë për të përjashtuar nga procesi zgjedhor mbi 150 mijë shqiptarë të diasporës, duke i ndarë qytetarët në të "dorës së parë" dhe "dorës së dytë".

"Frika e qeverisë nga vota e diasporës është e qartë. Ata dinë të vlerësojnë meritën, ndershmërinë dhe punën e palodhur, ndaj qeveria bën gjithçka për t’i mbajtur jashtë votimi”, tha ligjvënësja demokrate. 

Duke iu referuar shifrave alarmante, deputetja demokrate tha se nga 237 mijë regjistrime të diasporës, 97 mijë persona janë refuzuar, ndërsa 40 mijë prej tyre janë përjashtuar në mënyrë unike.

"A nuk janë këta shqiptarë? Kjo është një padrejtësi e papranueshme dhe një standard i dyfishtë që qeveria e zbaton gjithmonë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht”, theksoi Tabaku.

Tabaku gjithashtu preku problemin e emigracionit masiv, duke theksuar se mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar drejt Gjermanisë në 10 vitet e fundit, shpesh duke braktisur edhe shtetësinë shqiptare për të siguruar një jetë më të mirë. 

"Askush nuk ka ikur nga Shqipëria sepse ka dashur të largohet. Kanë ikur sepse nuk shohin të ardhme në këtë vend të kapur nga korrupsioni dhe oligarkia. Ata shqiptarë që sot mbajnë lart flamurin tonë dhe punojnë me ndershmëri nuk kanë të njëjtat të drejta si klientët e qeverisë. Ata nuk kanë përfituar asnjë favor, nuk kanë marrë koncesione, nuk kanë abuzuar me taksat, por janë më shqiptarë se ata që qeverisin këtë vend prej 10 vitesh", u shpreh deputetja.

Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate denoncoi edhe aferat e fundit korruptive të qeverisë, duke përmendur rastin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. 

"Dy ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u thirr rektori i Universitetit për një aferë korruptive ku disa përfaqësues janë nën hetim. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së sotme: ndërsa diaspora lufton për të drejtën e votës, këtu qeveria vazhdon të zhytet në korrupsion dhe abuzime", përfundoi ajo, duke këmbëngulur që qeveria të ndalë lojërat politike dhe të garantojë votën e diasporës.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet e 11 majit/ Kuvendi miraton zgjatjen e afatit të pasaportave dhe kartave ID të skaduara për diasporën! Bujar Leskaj i PD-së bashkon votën me PS! Dritë jeshile dhe për staf shtesë KQZ


A.Q/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?