Kuvendi detyrë KQZ: Kontrollo shpenzimet e partive

27 Gusht 2019, 07:25| Përditesimi: 27 Gusht 2019, 07:26

  • Share

Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë vitit 2019 të hartojë metodologjitë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike. Në rezolutën për veprimtarinë e KQZ për vitin 2018, Kuvendi i ka lënë disa detyra komisionit, për t’i realizuar për vitin 2019. Detyrat dominohen nga kërkesa për të forcuar kontrollin e financave të partive.

Detyrat e Kuvendit për KQZ

- Të marrë masa të përshtatshme dhe proporcionale për monitorimin nga afër të kushteve dhe kritereve ligjore për financimin publik e privat të fushatës zgjedhore të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje;

-Të hartojë metodologjitë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale, brenda dhe jashtë vendit, duke shqyrtuar edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme. Të përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimeve të fushatave zgjedhore jo vetëm mbi bazën e deklarimeve të subjekteve zgjedhore, por edhe mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të deklaruara apo të bëra publike, duke referuar në eksperiencat e vitit 2018;

-Të ngrejë mekanizmat e monitorimit të fushatës në media, të sigurojë transparencën e

rregullave të monitorimit të mediave, të reagojë në kohë dhe t’u kundërpërgjigjet me masa të shpejta, proporcionale dhe efikase praktikave që prishin barazinë ligjore të fushatës mediatike;

-Të përpunojë strategjitë e përshtatshme të edukimit zgjedhor në përgjigje të rrethanave specifike politike;

-Të lehtësojë procedurat për akreditimin e vëzhguesve, me qëllim rritjen e transparencës së procesit zgjedhor dhe mbulimin kapilar të tij;

-Të marrë masa të përshtatshme dhe proporcionale për monitorimin nga afër të përdorimit të burimeve shtetërore dhe të ndërhyjë në kohë reale pranë institucioneve publike për ndërprerjen dhe korrigjimin e praktikave të kundërligjshme në këtë drejtim;

-Në rast të masave ndëshkimore me gjobë, ndaj subjekteve zgjedhore, për shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, të nisin menjëherë procedurat e mbledhjes së detyrimeve financiare;

-Të synojë në një sjellje institucionale për sa i takon vendimmarrjes, në funksion të ruajtjes së pavarësisë dhe referim në dispozitat ligjore, në plotësim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe të sigurojë në të ardhmen interpretimin dhe zbatimin me paanësi dhe të njëjtë të ligjit;

-KQZ të vlerësojë hapësirat, brenda të cilave mund të ndikojë në rritjen e pjesëmarrjes dhe sensibilizimin për këtë qëllim të pakicave dhe minoriteteve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?