Foto ilustruese

Kuvendi fut në axhendë draftet kundër politikanëve të lidhur me ish-Sigurimin

30 Qershor 2023, 17:07| Përditesimi: 30 Qershor 2023, 17:41

  • Share

Kuvendi ka futur për votim në seancën plenare të 13 korrikut dy projektligje të iniciuara nga Partia Socialiste që kanë të bëjnë me verifikimin e figurës së politikanëve në lidhje me të shkuarën e tyre në komunizëm.

Për votim janë futur projektligjet që parashikojnë ndryshime në ligjin ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, i njohur si ligji i dekriminalizimit, si dhe Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr.8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar.

Në projektligjin e parë parashikohet heqja e mandatit të deputetit për personat që verifikohen nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq dhe në rastin e dytë, këtyre personave u ndalohet të jenë kryetarë të një partie politike.

Ishte Partia Socialiste ajo e cila dorëzoi vitin që shkoi në Kuvend dy projektligjet, AIDSSH njoftoi Kuvendin se një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

Autoriteti i Dosjeve kërkoi në atë kohë të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit, “Mezini” dhe “Bezhani”. Vetë ish-presidenti Ilir Meta, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi iniciativën si një sulm politik, , duke hapur një betejë ligjore me AIDSSH-së.

Kujtojmë se ndryshimet në ligjin NR. 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit u miratuan në 22 tetor 2022 në Kuvend, me konsensusin e PS-së dhe PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Ku konsistojnë ndryshimet dhe çfarë pasojash sjellin?
Hiqet mburoja për politikanët dhe pushtetarët e vendosur në ligjin e vitit 2015, ku ndalohej me ligj verifikimi i tyre për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit, nëse kishin marrë parë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Tashmë çdo kandidat për t’u zgjedhur deputet apo kryetar bashkie, do të verifikohet nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke i bërë të pavlefshme certifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Heqja e kësaj mburoje u kërkuar nga vetë Autoriteti i Dosjeve, pas pretendimeve se Ilir Meta kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, por që ligji ndalonte një verifikim të plotë dhe shterues.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mergimtari: 01/07/2023 06:14

    Edhe pas 33-vitesh te shperberjes te Sigurimit te shtetit vazhdojme te merremi me te.Deshtim me te qarte se ky nuk mund te kete.Merruni me gjendjen konkrete te njerezve dhe punoni te ndryshoj per mire jeta.Zhurme,zhurme dhe lufte per karige.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?