Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës, deputeti socialist kërkon që 2 marsi të shpallet festë zyrtare

17 Shkurt 2023, 16:55| Përditesimi: 17 Shkurt 2023, 17:10

  • Share

TIRANË- Deputeti socialist Eduard Nderca kërkon shpalljen e 2 marsit, dita e "Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës', si festë kombëtare. Deputeti i Lezhës ka depozituar në Kuvend një projektligj që kërkon që 2 marsi të futet në kalendar si festë zyrtare.

Sipas Ndrecës, kjo ditë duhet të shpallet si festë zyrtare pasi është ngjarja më e rëndësishme historike e vendit tonë dhe se brezat e ardhshëm duhet ta kujtojnë këtë ditë dhe të jenë krenarë për trashëgiminë historike shqiptare.

“Projektligji ‘për shpalljen e 2 Marsit (1444), Kuvendi i Besëlidhjes se Lezhës si festë zyrtare e Republikës së Shqipërisë’ është në shërbim të vlerësimit sa me dinjitoz të figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe përkujtimit e respektimit të ngjarjes më të rëndësishme ne historinë e popullit shqiptar, duke bërë të mundur që të gjithë shqiptarët e sotëm dhe sidomos brezat që do të vijnë, të jenë krenarë për trashëgiminë tonë historike kaq të lavdishme”, thuhet në projektligj.

Besëlidhja e Lezhës përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë. Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Si organizator i kuvendit merret i porsakthyeri nga Stambolli, gjenerali (Skënderbeu) shqiptar në perandorinë osmane Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën krishtere ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.

Kjo Besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin, krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.
 
Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake, e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do t’i zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë në komandën e Gjergj Kastriotit, i cili ato sipas marrëveshjes do t’i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.
 
Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare. Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

Projektligji 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/02/2023 01:52

    Feste kombetare le te shpallet,por jo dite pushimi.Me shume mbetet duke bere pushime //kombetare//,se sa dite pune!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?