Pesë vite pas aksionit ‘Fundi i Marrëzisë’ që mbylli 4.214 pika bastesh në vend, Kuvendi miratoi këtë të enjte, hapjen e basteve sportive por tashmë vetëm online.
Në korrik të vitit 2023, në Kuvend u depozitua ligji për rikthimin e lojërave të fatit online, me argumentin se bastet online e ushtronin aktivitetin e tyre në të zezë duke shtuar informalitetin pas mbylljes së tyre në 2018-ën, ndërsa buxheti i shtetit humbte miliona euro.
“Edhe pse aktiviteti i basteve sportive u ndalua me ligj, ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në mënyrë informale”, thuhej në relacion.
Rikthimi i basteve online do të bëhet me rregulla të reja, do të jepen në total vetëm 10 licenca për ushtrimin e aktivitetit me jetëgjatësi 10 vjeçare. Në garë për të marrë licencën do të marrin pjesë vetëm ato kompani që kanë ushtruar aktivitet në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet, si dhe në rast se këtë përvojë e ka njëri prej aksionarëve të subjektit aplikues, ai duhet të zotërojë jo më pak se 30 % të aksioneve në shoqëri.
Subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Po ashtu nuk duhet të kenë ndjekje penale si dhe nuk duhet të mbartin detyrime ta papaguara.
Për të aplikuar kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë, nga 20 milionë lekë që ka qenë në ligjin e vjetër, si dhe duhet deklaruar burimi i kapitalit që do të investohet.
Në projektligjin e ri është parashikuar që tarifa e licencimit për Bastet sportive on-line dhe baste për garat në pistë, për të gjithë periudhën e licencimit, është 400 milionë lekë, nga 200 milionë lekë që është në ligjin e 2015-ës.
Ndërkohë është ulur në 500 milionë lekë tarifa e licencimit për lotarinë kombëtare pasi në ligjin e 2015-ës është 1 miliardë lekë.
Masa projektligji parashikon edhe për mbrojtjen e lojatareve, ku saktësohet se organizatori nuk duhet të pranojë para në dorë nga lojtarët, por vetëm nëpërmjet agjentëve financiarë të autorizuar. Po ashtu organizatori duhet të regjistrojë çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive on-line si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet.
Organizatorët e lojërave të fatit duhet t’u kthejnë lojtarëve, në formën e fitimit: a) bingot televizive, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë; c) Lotaria Kombëtare për çdo lotari, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë. Po ashtu organizatori duhet të regjistrojë çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive on-line si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet.
Organizatorët e basteve sportive online janë të detyruar të ngurtësojnë një fond prej 120 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat. Si dhe 50 milionë lekë në llogari në favor të AMFL-së.
Sa i takon tatimit të tyre, bastet sportive do të derdhin në fondin e posaçëm 15 % të të ardhurave bruto nga loja. Organizatorët e lotarive kombëtare derdhin 10% të ardhurave bruto nga loja, bingot televizive 1.5% të të ardhurave bruto si dhe kategoria e lojërave të fatit të cilëve u lejohet publiciteti derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm edhe 15 % të shumës së deklaruar për publicitetin e kryer.
Ndërsa organizatori i autorizuar për zhvillimin e turneve të lojërave ka detyrimin të paguajë masën 25 për qind të të ardhurave bruto nga loja si dhe organizatorët e kategorive “Kazino”, “Kazino të vendosura në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 2.5 për qind të të ardhurave bruto nga loja.”.
Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji shërbejnë për krijimin e Fondit të Posaçëm që shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqitura nga institucionet shtetërore, pas marrjes së mendimit të institucioneve publike të fushës.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë është vendosur, që licenca për Bingon Kombëtare të jepet nga Komisioni i Licencave dhe jo nga Ministri i Financave siç ishte në draftin fillestar. Vetë komisioni i Licencave do të përbëhet nga 7 anëtar, një nga financa, një nga ekonomia, një nga ministria për çështjet sociale, një nga ministria e rendit, një nga ministria e sportit, një nga AKSHI dhe një anëtare nga Inteligjenca Artificiale. Komisioni ngrihet pranë AMFL, ndërsa kryetari zgjidhet me votim të fshehtë, ndërsa në draftin e parë ishte caktuar si kryetar përfaqësuesi i ministrisë së Financave.
Me ndryshimet e bëra në projektligj, është vendosur që të gjitha kompanitë që do të licencohen për ushtrimin e këtij aktiviteti do t’ju auditohen sistemet si dhe veprimtaria e organizatorëve të lojërave të fatit, gjë që nuk ishte e parashikuar në draftin fillestar të qeverisë. Ky kontroll do të bëhet nga Komisioni i Licencave nëpërmjet auditimit.
Kushtet dhe standardet e sistemit të basteve sportive online nuk do të caktohen me udhëzim të ministrit për financat por me vendim të Këshillit të Ministrave pas marrjes së mendimit të Agjencisë kombëtare të shërbimit të informacionit dhe Autoriteti Kombëtar i certifikimit elektronik dhe sigurisë kibernetike.
Po ashtu është vendosur përjashtimi i organizatorëve të “Basteve sportive online” nga sponsorizimi i skuadrave sportive, si dhe hoqën nga anëtarësia e Komisionit për dhënien e Licencave, Presidentin e Federatës Kombëtare të Futbollit dhe Presidentin e Komitetit Olimpik.
Hapja e basteve sportive online pritet të sjellë në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë të ardhura në vit.