Ka dështuar edhe seanca e 32-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe sot, deputetët nuk arritën të bien dakord për formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin. Nga 75 deputetë të pranishëm për formimin e këtij komisioni, pro votuan 45 deputetë, 1 ishte kundër dhe nuk pati abstenim.
Seanca e radhës vazhdon pas 48 orësh, të martën e 17 qershorit, në orën 10:00. Ky dështim i radhës ndodhi disa ditë pasi kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku shpalosi një agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë atë si mënyrë për të dalë nga kriza politike.
Propozimi i LDK-së u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa PDK preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo është hera e 24-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e VV, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, e cila nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Si fituese në zgjedhjet e shkurtit, Vetëvendosjes i takon që të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi dhe këmbëngul në emrin e Haxhiut, ndonëse partitë e tjera nuk e kanë pranuar.
Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit, nga të hapur në të fshehtë, është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Komente
